Fitorja me Kamzën ishte shkëndija që i nevojitej sezonit të Teutës. Megjithatë, skuadra e Gentian Begejas nuk kishte kohë për të festuar 3 pikët e para në kampionat prej nëntorit të kaluar.
Sfida e radhës është edhe më impenjative, sepse “Djemtë e Detit” do të presin në “Niko Dovana”, Partizanin. Një kundërshtar që përpos cilësive, është shndërruar në një tabu për durrsakët në vitet e fundit.Jo rastësisht suksesi i fundit në kampionat i Teutës është ai i majit 2016. Bregdetarët përpara dy sezoneve fituan në kryeqytet në javën e fundit të kampionatit, me të kuqtë që pasi humbën garën për titullin u shfaqën të pamotivuar në fushë.
Edhe më e dobët ecuria e Teutës në shtëpi përballë të kuqve. Fitorja me Partizanin në Durrës mungon prej 13 Prillit 2014. Ajo ndeshje e mbyllur me rezultatin 3-1 u vendos nga golat e Idriz Bathës, që tashmë është kapiten i Partizanit, Nikës dhe Dostit. Në “Niko Dovana”, Partizani ndihet si në shtëpi dhe kjo jo vetëm prej distancës së afërt gjeografike. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, skuadra e Starovës ka regjistruar 6 fitore dhe një barazim në Durrës, edhe pse vështirësitë nuk kanë munguar.
Ashtu si në trasfertën e fundit, me të kuqtë që fituan 2-1 me përmbysje me golat e Trashit dhe Sukajt, ku edhe fati ishte në anën e Partizanit. Rezultate që në një farë mënyrë i favorizojnë të kuqtë, por me Teutën që kërkon me patjetër pikë për t’iu larguar zonës së rënies nga kategoria, në fushë gjithçka pritet të jetë e hapur.





