Teuta u mposht në minutat shtesë nga Partizani javën e shkuar, ndërkohë që ka sërish një përballje të fortë në kampionat. Në stadiumin “Niko Dovana” këtë herë vjen si mysafir Kukësi kampion dhe objektivi janë tre pikët.

Trajneri Gugash Magani për këtë takim nuk do të ketë të gatshëm sërish mbrojtësin Ante Hrkaç, i dëmtuar që në ndeshjen me Kamzën në kampionat.

Lajme të mira vijnë nga Nijas Lena, i cili pritet të jetë gati për takimin e radhës. Kapiteni i Teutës e ka shlyer pezullimin dhe ka kaluar dëmtimin e pësuar, duke qenë tashmë në një gjendje më të mirë.

Gjithashtu i gatshëm është edhe mesfushori Anel Dediç, që me Kamzën u ndëshkua me karton të kuq. Komisioni i Disiplinës e dënoi atë me dy ndeshje dhe ato ai i ka shlyer, pasi mungoi ndaj Partizanit dhe në sfidën e djeshme të Kupës.