Teuta kompleton repartin e mbrojtjes, duke afruar në skuadër 23-vjeçarin Endri Reçi, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Kukësit në Superiore. Klubi durrsak ka arritur marrëveshjen me lojtarin dhe menjëherë ai ka dalë në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Edi Martini.

Reçi është afrimi numër pesë i “Djemve të detit” në merkaton e verës, ndërsa më parë klubi kishte zyrtarizuar emra si Antonio Marku, Ardit Peposhi, Emiljano Vila dhe Renaldo Torraj. Vihet re që deri më tani janë afruar më së shumti lojtarë me tipare mbrojtëse, ndërsa në sulm vetëm 19-vjeçari Torraj, i cili vjen pas eksperiencës në Angli me Bërnlein.

Nga ana tjetër, në dalje durrsakët kanë konfirmuar gjithashtu 5 lojtarë. Bëhet fjalë për emra si Harrallamb Qaqi, Rodrigo Faust, Realdo Fili, Davide Gjinollari dhe Klejdi Daci, me këtë të fundit që u transferua në Uzbekistan dhe klubi i Teutës përfitoi një shumë të konsiderueshme nga shitja.

Në ditët e ardhshme, kur skuadra do të spostohet në Pukë për të nisur fazën përgatitore, pritet të ketë të tjera afrime te “Djemtë e detit”. Gjasat janë që të vijnë dy lojtarë krahu me tipare ofensive.