Teuta kthehet në fushë më 3 janar 2024. Grumbullimi i parë është caktuar në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa pas mbledhjes dhe njoftimit të futbollistëve me planin e përgatitjeve, ekipi do të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Skuadra për disa ditë do të zhvillojë dy seanca në ditë. Numri një i pankinës durrsake është shumë kërkues në stërvitje, së pari ndaj vetes dhe më pas ndaj lojtarëve, duke kërkuar seriozitet dhe impenjim maksimal në seancat stërvitore. Deri më tani skuadra ka punuar në disa drejtime, duke i kushtuar rëndësi çdo detaji, edhe në funksion të ndeshjes së radhës ndaj Partizanit. Te Teuta kërkohet që në gjysmën e dytë ekipi të bëjë një paraqitje dinjitoze. Ky sezon është një nga më të dobëtit për Teutën në dekadën e fundit. Skuadra durrsake renditet në vendin e fundit me vetëm 16 pikë të grumbulluara pas 18 javësh.

Teuta ka bërë vetëm një goditje në këtë merkato. Reparti i sulmit ka qenë problematik, por në ditët e para të janarit pritet të këtë zhvillime të reja, ku mund të këtë afrime të njëpasnjëshme, duke bërë që edhe vija ofensive të mos jetë një problem. Pas largimit të Gjatës dhe Gjumsit, lind nevoja për një sulmues, pasi “pyka” e vetme në skuadër është Klejdi Daci. Trajneri Martini pret me ngulm që lojtarët e rinj t’i këtë sa me shpejt në dispozicion. Sa i përket periudhës pas janarit, Teuta pritet të qëndrojë në Shqipëri për të zhvilluar minifazën përgatitore. Klubi ka parë të arsyeshme të qëndrojë në qytetin e Durrësit, ku kushtet në këto muaj të fundit kanë qenë mjaft të mira dhe komplekset sportive nuk mungojnë.