Durrsakët vijojnë përgatitjet për javën anti-Bylis. Në seancën e pasdites së djeshme Teuta ka qene e qetë dhe nën drejtimin e stafit teknik është duke perfeksionuar lojën e saj për sfidën e javës së dytë me Bylisin. Trajneri Renato Arapi gjatë gjithë kohës është munduar që t’ua ngulisë në mendje lojtarëve të tij mënyrën e lojës që ai preferon të shohë në fushë. Si fillim, Arapi ka kërkuar qarkullim topi dhe për këtë ka punuar më shumë se 20 minuta me dy grupet që kanë qarkulluar në pafundësi sferën ashtu siç kërkonte trajneri i skuadrës.

Nuk ka mbaruar me kaq, pothuajse në çdo moment trajneri i ka këshilluar lojtarët e tij se si të luajnë. Shumë herë Arapi ka ndërprerë lojën dhe u ka kërkuar lojtarëve që të bëjnë sa më mirë lëvizjet me dhe pa top. Po kështu, qëllimi ka qenë ndryshimi i krahut të lojës dhe lëvizjet pa top që futbollistët duhet t’i bëjnë sa më mirë.

Këshillat kanë qenë njëra anë e stërvitjes së djeshme. Ana tjetër kanë qenë kritikat. Shumë lojtarë, sidomos titullarët, kanë diskutuar me njëri-tjetrin dhe nuk ndalnin korrigjimet për shokët që gabonin. Edhe trajneri Arapi nuk është përmbajtur në momente të caktuara. Ai ka kërkuar agresivitet në fushë, si në sulm dhe gjatë fazës mbrojtëse. Kritika të tilla ka pasur gjatë gjithë lojës së djeshme brenda grupit.

Teuta pritet ta ketë grupin e plotë për ndeshjen me Bylisin, ku së fundmi në ekip është kthyer edhe ish-kapiteni, Arbër Çyrbja. “Djemtë e detit” nuk kanë qenë shumë aktivë në merkaton e verës, pasi janë bazuar më shumë te grupi që kishin vjet.Uheid Hoxha, Arseld Halilaj, Alban Çejku, Patrik Treni, David Gjinollari, Klevis Bebeziqi, Erando Karabeci dhe Arbër Çyrbja do të federohen për llogari të Teutës, duke qenë gati për sfidën me Bylisin të shtunën. Ky grup mungoi ndaj Laçit, pasi nuk ishin të federuar, por do të jenë gati për javën e dytë të kampionatit.