10shtator 2015 – Durrsakët e Teutës, janë duke u përqendruar tek sfida e radhës në qytetin e Kukësit. Në këtë transfertë të vështirë, durrsakët shkojnë pas dy fitore të çmuara dhe të merituara që kanë marrë në takimet e zhvilluar ndaj Flamurtarit në javën e parë në transfertë, në ndeshjen e zhvilluar në fushën neutrale të Fierit si dhe me Vllazninë në javën e dytë. Megjithatë, ndeshja me Kukësin ka tjetër specifike, aq më tepër që bëhet fjalë për një rival me pretendime dhe që synon titullin.
Në fakt, në tri vitet e shkuara, durrsakët kanë treguar se dinë të marrin pikë edhe në “Zeqir Ymeri”. Durrsakët janë optimistë, por është trajneri Gugash Magani, ai i cili synon që ta mbajë vazhdimisht skuadrën e tij me “këmbë në tokë”. Për durrsakët, do të jetë edhe një nga afrimet cilësore që ka bërë presidenca. Fjala është për mbrojtësin Sllavko Lukiç, një lojtar me një Cv të pasur. Lukiç është gati dhe është është një forcë më shumë për trajnerin Magani, në një garë të gjatë dhe të vështirë si kjo e këtij sezoni.Tifozët e skuadrës së Teutës, nisur edhe nga dy fitoret që ka realizuar skuadra e tyre e zemrës, do të jenë në mbështetje të idhujve të tyre edhe në transfertën e Kukësit. Tifo-grupi “Djemtë e Detit” e ka mbështetur maksimalisht skuadrën e zemrës, por është edhe një nga tifo-grupet më të kulturuara në vend dhe dallohet për korrektesën dhe “Fair-Playn”, në shkallët e stadiumit, në sfidat në Durrës por edhe në takimet në transfertë.
/portali DurresLajm/