DURRES, 22 prill 2013 – Vendimi i kryesisë së FSHV-së për dënimin e ekipit të volejbollit Teuta, është pritur me indinjatë në shumësportëshin, sportdashësit dhe qytetarët durrsakë. Ky vendim është trajtuar si i njëanshëm, absurd, i paragjuar dhe tendecioz. Vetëm në këtë formë të thonë në Durrës, plotësohen kërkesat e atyre që gjithnjë e kanë patur halë në sy ecurinë dhe përparimin e Teutës në volejboll.
Më të lehtë e kanë patur drejtuesit e Federatës për të dënuar Teutën, se sa për të analizuar shkaqet që erdhën drejt këtij bojkoti” u shpreh një sportdashës. Sa i takon sekretarit të klubit shumësportesh Teuta Emiljan Jani, ai shpreh pakënaqësinë dhe indinjatën e tij ndaj këtij vendimi duke e trajtuar të papranueshëm dhe të kritikueshëm. Jani me këtë rast shpreh habinë e tij, si nuk u muar të paktën mundimi një minutë të vetme për t’u dëgjuar dhe shpjeguar pse Teuta e bojkotoi garën sportive. Kështu ndodh edhe tani në rastin e pezullimit një vit nga volejbolli.
“Nuk dua ta besoj, tërheq vëmendjen i pari i shumësportëshit durrsak se kemi të bëjmë me prapavijë politike, pasi kjo do të ishte një dëm i pallogaritshëm që i bëhet sportit të rrjetës, por që poziconi tendecioz në dëm të interesave të volejbollit durrsak nuk është i vështira për t’u kuptuar. Ne kërkojmë që të rishikohet kjo masë, që formalisht merr shkas nga rregulloret e kësaj loje, por që në rastin e parë të tërheqjes as një neni të saj nuk i është referuar, apo më saktë është anashkaluar. Tendenca për ta parë lokalisht këtë problem dhe ruajtjes së hegjemonisë së Studentit dhe ekipeve të Tiranës në volejbollin kombëtar në mënyrë të pamerituar, është leximi më i saktë që mund t’i bëhet vendimit të kryesisë në shumicë përbërë nga njerëz që i gëzohen ndëshkimit të Teutës. E drejta e jonë e cunguar, kurrsesi nuk e meritonte të shoqërohej me një masë të tillë drastike. Të tjerë duheshin dënuar dhe jo Teuta. FSHV-ja me këtë rast tregoi paaftësinë e saj për të qenë drejtuese legjitime dhe e panashme e volejbollit. Turp për këtë që është bërë ndaj nesh”,- thotë Jani.
Ende nuk dihet reagimi dhe i strukturave drejtuese të bashkisë së Durrësit, por në një pikë konvergojnë të gjitha pozicionet: Keqdashje ndaj Teutës, këtij ekipi që aq shumë emër dhe optimizëm i ka dhënë në vite volejbollit shqiptar. Tase dhe federata që drejton, tregojnë mllefin dhe cinizmin e tyre, ndaj një klubi që i mbështeti fuqishëm në një kohë kur Asllan Rusi jo rrallë ka mbyllur dyert për ushtrimin normal të veprimtarive të volejbollit.





