Një tjetër lojtar që ka shkëlqyer te krutanët është edhe nigeriani tjetër Henri Okebugu. Për shërbimet e mesfushorit ka shfaqur interes skuadra e Teutës dhe kërkesa në klub ka mbërritur.
Nëse palët do të bien dakord, gjasat janë që në ditët në vazhdim të kemi edhe finalizimin e transferimit të Okebugut te “djemtë e detit”. Ndërkaq, klubi ka zyrtarizuar dje përfundimin e marrëveshjes me brazilianin Xhunior.
“Periudha 1-vjeçare e huazimit të brazilianit Roger Junior te Kastrioti ka përfunduar dhe tashmë lojtari është larguar nga skuadra dhe Shqipëria me përshtypjet më të mira. Klubi e falënderon për kontributin e çmuar që ka dhënë për ekipin gjatë këtij sezoni dhe njëkohësisht i uron suksese në karrierë”, shkruhet në njoftimin e publikuar dje nga klubi krutan në Facebook.
Skuadra krutane luftoi deri në javën e fundit për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, por e pati të pamundur. Tashmë Kastrioti do të rikthehet të luajë në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit kanë bërë të ditur se do të krijojnë sërish një ekip cilësor edhe për kampionatin e ardhshëm.





