Pas gjashtë barazimeve radhazi, së fundmi Teuta ia ka dalë të marrë dy fitore rresht dhe tashmë duket se ekipi është futur në “shinat e duhura” duke marrë trajektoren në ngjitje sa i përket klasifikimit.
Ndërkaq, ndeshja e radhës është e një vështirësie të caktuar duke qenë se përballë është Tirana. Megjithatë, trajneri Edi Martini do të ketë dy rikthime shumë të rëndësishme në organikë.
Bëhet fjalë për mesfushorin Albano Aleksin, i cili ishte i pezulluar për shkak të plotësimit të numrit të kartoneve të verdhë. Një pezullim të cilin e kaloi në Korçë në sfidën ndaj Skënderbeut, ndaj tashmë është plotësisht i gatshëm.
Sakaq, pjesë e skuadrës së “Djemve të Detit” për sfidën me Tiranën do të jetë edhe Kuros. Mbrojtësi vuante nga një dëmtim, mirëpo problemet fizike janë kaluar dhe lojtari ndihet gati për të rimarrë vendin e tij në formacion.





