Mbase kur të mbaroi e plotë faza e parë, mund të bëjmë një rezume më të hollësishme mbi paraqitjen e Teutës. Por komoditeti i rastit kushtëzuar nga ndeshja e Teutës të shtunën në mbrëmje, na favorizoi të ndalemi shkurtimisht mbi sukseset e fundit të saj. Jo me shkëlqimin e sezonit të kaluar, falë përvojës së futbollistëve të saj dhe promovimit të suksesshëm të disa futbollistëve të rinj, Teuta ka hedhur sondat për të gërmuar sërish në vendet ku kërkohet lavdia e futbollit të qytetit.

Sikur për ta ngjyer këtë version me bekimin për më mirë, shërben edhe fakti që në krye të saj është një dëshmi e kampiones së 94-trës. Quhet Gentjan Begeja. Me 24 maj 2013 mbush 40 vjeç dhe do të ishte mrekulli që Teuta e drejtuar prej tij të mbetet në elitë. Serioz dhe shumë i matur, punëtor dhe kërkues, energjik dhe bashkëveprues, novator dhe mbështetës i të resë, ky Begeja kërkon të justifikojë besimin e dhënë, para së gjithash kjo në raport me tifozërinë dhe opinionit sportiv durrsak.

Është po ky Bege, që vitin e kaluar e ngriti futbollin e të rinjve në “kapelën” e futbollit, duke përsëritur për të tretën herë në historinë e topkëmbës të Durrësit, të qënit me të rinjtë të plotfuqishmit e futbollit shqiptar.

Prova më e fundit

Është fitorja me Bylisin e Ballshit, i njohur si vendi i rafinerimit të naftës në kohën e komunizmit. Është një ekip që stimulohet nga skrupulozi Besnik Kapllanaj. Kujtojmë që Bylis e pa për herë të parë me sy superligën shqiptare në sezonin 1997-98 dhe pas një viti u ndesh në eliminatoret e kompetioneve europiane ndërmjet klubeve. Bylis para se të fillonte ndeshja me Teutën kishte 15 pikë, ndërsa vendasit e Niko Dovanës 17. Golavarazhi dukshëm pozitiv 12-6, ku durrsakët ishin negativ 10-11.

Ekipi me futbollistë të huaj si V. Da Silva, Ristevski, Ixhuku etj. Në krye një trajner, nga më të mirët e futbollit shqiptar Agim Canaj. Ky ishte rivali i Teutës në të shtunën e 17 nëntorit 2012. Prova më e fundit e Begesë është kjo e Ballshit e kësaj dite, pasi një javë më parë fitoi në mes incidenteve që ndodhën me tifozërinë durrsake me Apoloninë e Fierit. Mënyra se si luajti Teuta me Bylisin, ngjall polemika për të përmirësuar, por sa i takon suksesit ai ishte i merituar.

Teuta u tregua pragmatiste, e bindur se mund të korrigjohet më mirë në vijimësi. Begeja u tregua objektiv në atë që ndjente, pasi ai e di që ekipi mbetet sërish në objeksionet e tij.

“Fituam 3 pikë mjaft të rëndësishme në ndeshjen e sotme (të shtunën), por sërish loja nuk është ngjitur në nivelet më të mira. E kemi nisur ndeshjen mjaft mirë, shënojmë gol dhe për fat të keq nuk e ruajmë ritmin e lojës. Nuk e kuptoj tërheqjen e djemve aq shpejt, kur rezultati 1-0 nuk të jep garanci. Kam bërë disa lëvizje në formacion gjatë pjesës së dytë dhe jam i kënaqur që kanë rezultuar efikase. Në fund të takimit kemi shpërthyer duke marrë një fitore të thellë, që në të vërtetë nuk i përgjigjet lojës së zhvilluar në fushë.”

Fitorja 3-0 me Bylisin vlerësohet edhe për përmirësimin pozitiv të golavarazhit, sepse katër golat e pësuar në Gjirokastër ia kishin vënë minusin këtij bilanci. Teuta pëson 11 gola, që do të thotë se mesatarisht është goditur nga 1 gol për ndeshje, kur shënon pak më shumë se 1 rrjetë. Begeja si sulmues i një plejade të shkëlqyer të futbollit durrsak, sigurisht që e ka prioritare përmirësimin e shënimit të golave

Shumë objektiv Begeja, duke dashur t’ju kujtojë futbollistëve që drejton se fitorja vlen për 3 pikë, por jo në kënaqësinë e spektaklit. Tekniku i djemve të detit vepron drejt, pasi kërkon ti motivojë psikologjikisht futbollistët që drejton. Pas çdo fitoreje mbetet gjithnjë diçka për të korrigjuar. Ballshiotët kanë sulmuar në pjesën e dytë dhe mund edhe të shënonin. Rizvani i ndodhur në ditë të mirë, kurajon shokët. Dhe goli sigurisht që do të ishte vepër e vlonjatit Xhafaj dhe shkodranit Nikaj.

Tabela dhe promovimet

Po t’i hedhim një vështrim formal tabelës së rezultateve, vëmë re se Teuta për të dytën herë pushton vendin e dytë. Mirë është që ta mbajë, pasi siç duket vendi i parë është prenotuar që tani nga Skëndërbeu i Korçës. Në 11-të takime të zhvilluar, Teuta është në pozicionin lakmitar të nënkampiones së vendit dhe kjo vjeshtë e tretë e gjen më shumë se kurrë pragmatiste.

Mbledh 20 pikë, pasojë e 6 fitoreve dhe 2 barazimeve. Humbet në tri ndeshje: me Besën dhe Luftëtarin në transfertë dhe me Skënderbeun në Niko Dovana. Shënon 13 gola dhe pëson 11. Fitorja 3-0 me Bylisin vlerësohet edhe për përmirësimin pozitiv të golave të shënuar, sepse katër golat e pësuar në Gjirokastër ia kishin vënë minusin këtij bilanci. Teuta pëson 11 gola, që do të thotë se mesatarisht është goditur nga 1 gol për ndeshje, kur shënon pak më shumë se 1 rrjetë.

Begeja si sulmues i një plejade të shkëlqyer të futbollit durrsak, sigurisht që e ka prioritare përmirësimin e shënimit të golave. Në përbërje fati e solli që është edhe nga shënuesit më të mirë të futbollit shqiptar në vitet e fundit, Daniel Xhafajn, por edhe Ansi Nikën e përmirësuar ndjeshëm. Durrsakët fitojnë 3 ndeshje në fushën e tyre, por janë ekipi më i mirë që arrin të marrë edhe tri fitore në transfertë (Shkumbinin, Kastriotin dhe Apolonië).

Kjo mbetet nga armët më të forta të Teutës, e kristalizuar veçanërisht në sezonin e kaluar nën drejtimin e teknikut të mirënjohur Hasan Lika dhe të kolegut të tij Sulejman Starova. Por Gentjan Begesë, duket si takon një meritë tjetër e rëndësishme, ajo e promovimit të futbollistëve të rinj. Alfred Deliallisi, i testuar para disa vitesh në futbollin grek mbetet figura qendrore e të rinjve. Ai është shënues edhe i një goli të shkëlqyer me Flamurtarin. Formacioni po bëhet pjesë edhe për Rexhep Meminin dhe Kristi Markun, që të dy kampionët e të rinjve. Minuta jo të pakta janë rezervuar edhe për talentin kosovar të Gjakovës Leotrim Pajazitin.

Kështy ku Bege kërkon afirmimin e këtyre të rinjve, të pozicionit të tij si trajner i ekipit të parë dhe të një Teute që mund të flasë akoma më mirë në ndeshjet e pritshme. Megjithatë Teuta e tij në këto 11 javë, është shumë më mirë se sa mendohej, apo të paktën nga ajo që u nis.