Teutën e pret një ndeshje e vështirë në Korçë, ku shkon pas dy humbjeve radhazi dhe do të kërkojë me forcë pikë. Trajneri Edi Martini ka luksin të zgjedhë më të mirët për këtë transfertë, pasi nuk ka asnjë mungesë. Në skuadër ka besim për rikthimin e shpejtë te fitorja, edhe pse rezultat e fundit kanë qenë zhgënjyese. Trajneri shkodran ka biseduar me lojtarët dhe u ka kërkuar atyre vlerësim maksimal të kundërshtarit, sepse nuk mund të falet një gabim i tretë radhazi.
Në seancën e djeshme pati edhe një minindeshje kontrolli në gjysmën e fushës, ndërsa për formacionin trajneri Martini ende nuk ka vendosur. Në dy humbjet e fundit durrsakët kanë vuajtur mungesën e golit.
Rastet realisht nuk kanë munguar, por sulmuesit e Teutës, por edhe lojtarët e tjerë, nuk kanë mundur të gjejnë rrugën e rrjetës dhe kjo situatë ka bërë që të ketë edhe pak nervozizëm më pas. “Djemtë e Detit” në fakt kanë një nga sulmet më pak efikase të Superiores. Teuta ka shënuar deri tani 28 gola, po aq sa Kukësi i vendit të fundit.
Më pak gola ka shënuar vetëm Erzeni, një rival në luftën për mbijetesë. Për të mos pasur probleme të tjera në këto javë të mbetura, Teuta ka nevojë për golat e sulmuesve, duke nisur nga ndeshja e kësaj fundjave në Korçë. Peposhi dhe Daci janë dy shënuesit me të mirë të durrsakëve me nga 7 gola. I pari humbi dy herë penallti ndaj Dinamos, kurse i dyti ka shpërdoruar jo pak raste, por ka qenë edhe pa fat, sepse u ndal nga traversa ndaj Laçit.