Teuta do të luajë më 6 korrik ndeshjen e parë kundër Sherif Tiraspolit, e vlefshme për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Nga skuadra që mbylli sezonin është larguar vetëm një titullar, pikërisht mbrojtësi i majtë, Aleksandër Kuro. Mirëpo, trajneri Edi Martini pret që skuadra të forcohet në këtë merkato edhe me një sulmues, një fantazisë dhe dy mbrojtës.
Teuta festa e golit ndaj Kastriotit
Deri më tani Teuta nuk ka konfirmuar asnjë afrim, paçka se drejtuesit po bëjnë të pamundurën për të forcuar ekipin, në mënyrë që ndeshja me Sherifin ta gjejë ekipin më të kompletuar se kurrë. Gjithsesi, te kampionët nuk duan të nxitohen, pasi besimi ekziston se grupi aktual është gati të bëjë maksimumin ndaj moldavëve në Champions.
Në këto kushte, klubi synon që lojtarët që do të afrojë, të jenë më cilësorë për të rritur nivelin, jo thjesht për të plotësuar skuadrën. Ndërkohë, lajm i mirë për trajnerin Martini është fakti se gjatë qëndrimit të deritanishëm në Ohër për minifazën përgatitore, asnjë prej lojtarëve nuk ka pasur probleme fizike.
Sherif Tiraspoli ka zbritur dje në fushë për të zhvilluar një miqësore ndaj skuadrës ruse, FC Akron, e cila po kryen fazën përgatitore në kompleksin gjigant të moldavëve. Kundërshtari i Teutës në Champions fitoi minimalisht 1-0 falë një goli të sulmuesit Peter Banda. Sipas asaj që raporton faqja zyrtare e Sherifit, loja është dominuar totalisht nga moldavët, por janë shpërdoruar shumë raste për shënim.
Klubi kampion i Moldavisë bëri edhe një goditje të bujshme në merkato, duke prezantuar zyrtarisht portierin grek, Jorgos Athanasiadhis. Ky i fundit ka qenë pjesë e AEK-ut të Athinës dhe shikohet nga Sherifi si një goditje e madhe për të vazhdimësinë. Debutimi i tij pritet të jetë pikërisht ndaj Teutës në Champions. 28-vjeçari ka qenë më parë pjesë e Panthrakikos dhe Asteras Tripolis.





