Teuta i ka dhënë fund fazës përgatitore me një grumbullim 12-ditorësh në Ohër, pas atij të Italisë. Dje trajneri Magani ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore me lojtarët e tij dhe e ka lënë ditën e sotme pushim. Ndërsa përgatitjet do të vazhdojnë sërish nesër dhe deri në fillimin e kampionatit, Teuta do të qëndrojë në Durrës.Ndërkohë që prezantimi i skuadrës do të bëhet në datën 3 shtator, kur edhe drejtuesit kanë planifikuar një turne miqësore me Besën e Kavajës dhe ekipin e Superligës kosovare, Trepça 89′. Gjatë këtyre ndeshjeve, trajneri Magani do të provojë edhe lojtarët që do të ketë të gatshëm për sezonin e ri.Gjatë qëndrimit në Ohër, Teuta ka luajtur dy ndeshje testuese, njërën prej të cilës ndaj Strugës, që e ka fituar në shifrat 2-1 dhe të dytën me Kukësin, e cila u mbyll në barazim 1-1.
Paraqitja e ekipit gjatë këtyre ndeshjeve ka qenë e mirë.Durrsakët e kanë plotësuar ekipin për sezonin e ardhshëm, duke afruar lojtarë të rinj edhe me eksperiencë. Lena, Dosti, Bilali dhe Dediç japin siguri në mesin e fushës, ndërsa në mbrojtje Antre dhe Sunday kanë eksperiencën e duhur, ashtu si krahët me Beqaj, Hakaj dhe Shehaj. Porta është e blinduar me Kastratin dhe rikthimin e Moçkës.Ndërsa në sulm Latif dhe Onyeka ende nuk janë të gatshëm, pasi duhet që më parë të rifitojnë formën fizike, megjithatë do të jenë gati për trajnerin Magani në fillimin e kampionatit. Por, përveç lojtarëve të afruar dhe atyre që kanë qëndruar nga sezoni i shkuar në skuadër, Magani do t’u japë hapësirë edhe lojtarëve të rinj, që janë afruar nga akademia.





