7 korrik 2015 –Teksa drejtuesit e skuadrës vijojnë operacionin e përforcimeve, Teuta nën drejtimin e stafit teknik po vazhdon me ritme të larta punën në drejtim të përgatitjeve për sezonin e ri. Nën drejtimin e teknikut Magani dhe asistentëve të tij, Dervishi, Ahmataj dhe Kapllani, “djemtë e detit”  po ushtrohen nën temperaturat e larta në të cilat është përfshirë rajoni.

Numri një i pankinës durrsake pret edhe tre përforcime të tjera, një sulmues, një mesfushor krahu dhe një qendërmbrojtës. Me realizimin e operacionit për afrimin e këtyre futbollistëve në këto poste, sipas Maganit, skuadra është e kompletuar dhe gati për të nisur fazën përgatitore.

Përgjatë seancës së fundit stërvitore, tekniku Magani ka kryer testet fizike për të gjithë skuadrën, përfshi edhe ata lojtarë që janë në provë. Statistikat e dala nga testet tregojnë se skuadra e Teutës në përgjithsi gëzojnë formë shumë të mirë fizike, ndonëse ekipi ka kryer vetëm gjashtë seanca stërvitore pas pushimeve.

Kjo do të jetë java e fundit për durrsakët që do të kryejnë stërvitje në shtëpi, pasi e hëna e ardhshme do ta gjejë skuadrën në alpet e Bullgarisë, ku kushtet atmosferike janë shumë të favorshme. Drejtuesit e skuadrës durrsake kanë deklaruar se skuadra do të kompletohet përpara se të niset drejt Bullgarisë. Në këto kushte, pritet që tre afrimet do të kryehen brenda kësaj jave. Numëri një i “djemve të detit” ka theksuar se lojtarët janë pikasur dhe aktualisht palët janë duke gjetur gjuhën e përbashkët për të kryer transferimet e tyre drejt qytetit bregdetar. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/