Teuta ka vijuar përgatitjet intensive. Edhe pse me mungesën e Kallakut (të grumbulluar nga Shpresat), por edhe Hakajt që ka shfaqur shqetësime pas ndeshjes me Kastriotin (çka kushtëzoi edhe Alban Bushin që ta mbante jashtë listës), stafi teknik ka shtuar dozën e ngarkesave. E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar te Laçi, javë që përmbyll edhe fazën e parë.
Statistikat përballë këtij kundërshtari nuk i kanë aspak në favor, por të besuarit e Bledi Shkëmbit ende nuk kanë hequr dorë nga zona “Euro”, ndaj do të tentojnë që t’ia dalin ndaj kurbinasve fundjavën e ardhshme. Stafi teknik ka punuar me grupin në aspektet tekniko-taktike dhe ato fizike, por pas dore nuk u lanë as ushtrimet me topin. Vëmendje iu kushtua veçanërisht mbrojtjes, repart që ka sjellë vazhdimisht shqetësime.
Por, as mesfusha nuk u la në harresë. Shkëmbi duket se ka vendosur t’u japë më shumë mundësi aktivizimi të rinjve, duke pasuruar dhe konkurrencën në këtë repart. Sulmi është në dorën e Latif, por ende punohet që rrjetën ta gjejnë dhe lojtarët e tjerë, Progni apo edhe Kruja që fitoi disa minuta kundër krutanëve. Një pushim dyjavor do t’u shërbejë bregdetarëve për të riqartësuar idetë e krijimit të një formacioni stabël.
Në javët e para të kampionatit skuadra u paraqit thuajse e njëjtë, por që më pas pësoi ndryshime dhe skuadra filloi një rënie. Tekniku kërkon impenjimin maksimal të lojtarëve të tij, duke mos toleruar asnjë gabim edhe në seancat stërvitore. Javët në vazhdim do të jenë vendimtare për të parë rrugën që do të marrin fatet e “djemve të detit” në këtë sezon.





