Durrës, 13 gusht 2014 – Teuta mban rekord me afrimet gjatë merkatos verore, me plot 14 lojtarë të ardhur, të cilët do te kërkojnë të bindin teknikun Lika për një vend në formacion. Trajneri Lika, aktualisht, është duke ndjekur me kujdes formën dhe cilësite e çdo çdokujt prej tyre, duke krijuar edhe një ide paraprake për pozicionin e secilit prej lojtarëve që ka në dispozicion. Gjatë fazave përgatitore të zhvilluara në Austri e Ohër, skuadra durrsake është trajtuar dhe trajnuar me shumë kujdes, pasi bëhet fjalë për një skuadër të re, prej të cilës kanë mbetur vetëm disa lojtarë nga sezoni i kaluar. Pra, Lika është duke ndërtuar gjithçka nga fillimi dhe deri tani puna ka shkuar ashtu si duhet.
Numri një i pankinës durrsake ka eksperimentuar lojtarët dhe mënyrën e lojës në miqësoret e zhvilluara, prandaj edhe nuk kemi parë dy herë të njëjtën skuadër në fushë. U është dhënë mundësia secilit prej lojtarëve për të treguar aftësite e tyre. Djemtë e detit kanë zhvilluar lojë të mirë dhe bindëse në miqësoret e zhvilluara. Kambanat bien vetëm për repartin e sulmit, i cili nuk ka qenë potent duke shënuar vetëm një gol me aksion. Por, ky fakt nuk e shqetëson stafin teknik, i cili beson se skuadra po forcohet dita-ditës. Teuta është në ditët e fundit të përgatitjeve në tokën maqedonase, ndërsa të enjten fillon stërvitja e ekipit në Durrës. Durrsakët kanë zhvilluar një fazë të ngjeshur prej së cilës lojtarët morën ngarkesën e nevojshme fizike.
Me t’u kthyer në Durrës, trajneri Hasan Lika do ta fokusojë punën tek ana taktike e skuadrës dhe përzgjedhja e lojtarëve që do të luajnë në formacion në përballjet e para të sezonit të ri, i cili do të startojë më 23 gusht. Përgjatë sfidave miqësore që ka zhvilluar Teuta, stafi teknik nuk ka hedhur dy herë në fushë të njëjtën skuadër, në mënyrë që të njihej me cilësitë e çdo elementi që do të ketë në dispozicion. Në fakt, numri një i pankinës durrsake ka qenë i kushtëzuar edhe nga mungesat e disa prej lojtarëve bazë të skuadrës si, Dosti e Hodo, të cilët pritet të jenë pika e referimit në mesfushë për skuadrën e Teutës. Mësohet se dilemën më të madhe tekniku Lika e ka në repartin e mbrojtjes, i cili kërkon rinovim nga e para. Përforcimet që drejtuesit e klubit kanë bërë përgjatë merkatos verore konsiderohen të goditura, sidomos ajo e dy lojtarëve të afruar nga Besa, mbrojtësi Erand Hoxha dhe Burno Dita.
I vetmi shqetësim në kampin durrsak mbeten dëmtimet e disa prej lojtarëve. Ndaj stafi mjekësor po bën të pamundurën për t’i riaftësuar përpara fillimit të sezonit të ri futbollistik. Tifozëria durrsake pret me padurim rikthimin e skuadrës, për të parë nga afër dhe për t’u njohur me elementët e rinj të afruar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





