Teuta – Tërbuni 3-1
Golat: Lamçja 11′, Artur Magani 35′, Gripshi 90’/ Dhrami 19′

Teuta: Rizvani, R.Hoxha, Lukiç, E.Hoxha, Kotobelli, Mihani, Dita (Kuka), Hodo, Musa, Magani, Lamçja;             Trajner: Gugash Magani.

Tërbuni: Haxho, Lila, Peqini (Gebor), Brahja (Danaj), Gavazaj, Karapici (Tushe), Mone, Gërço, Milenkoviç, Dhrami,Vatnikaj;            Trajner: Samuel Nikaj

19shtator 2015 – Pas triumfit në fushë asnjëanëse kundër Bylisit, Tërbuni ka pësuar humbjen e parë sezonale jashtë fushe, duke u mundur 3-1 në Durrës të shtunën pasdite.Një sukses i merituar për Teutën, që tregoi se në Superiore ka shumë rëndësi eksperienca dhe qetësia, ndërkohë që Tërbuni është ende i brishtë dhe ka shumë për të mësuar.Temperaturat e larta ndikuan në numrin e ulët të tifozëve dhe ritmi i lojës nuk u ngjit ndonjëherë në nivele për t’u duartrokitur, por ndryshe nga rutina, këtë radhë golat ishin të shumtë, që në pjesën e parë.Mesfushori i afruar këtë verë te Teuta, Lamçja, shënoi që në minutën e 11-të, para se Dhrami të barazonte për miqtë 8 minuta më vonë.

Barazimi i dha zemër Tërbunit, por Teuta nuk e humbi qetësinë dhe në minutën e 34-t Artur Magani shënoi golin e avantazhit dhe të dytin personal në këtë sezon, shenjë se i ati i tij, trajneri Gugash Magani, nuk ka gabuar që e ka afruar te Teuta.Në pjesën e dytë presioni i Tërbunit nuk i hapi shumë probleme Teutës, që priti momentin e duhur për të mbyllur ndeshjen, duke ia dalë mbanë në shtesë, kur mesfushori i ri Gripshi shënoi golin që vulosi fatet e takimit.Tre pikë të çmuara për Teutën, që pa zhurmë qëndron në grupin e kreut, ndërsa Tërbuni mbetet në vendet e fundit.

/portali DurresLajm/