Skuadra është duke u përgatitur, drejtuesit e Teutës vijojnë punën për të kompletuar ekipin për sezonin e ardhshëm dhe këto ditë po sistemojnë çështjen e portës.

Kështu, është arritur marrëveshja me portierin Bobi Çeleski që të rinovojë kontratën deri në verën e 2022-shit, kohë kur maqedonasi do të ketë 25 vite mbi supe, ndërsa tani gjithçka është mbyllur me firmën mbi kontratë.

Çeleski, numri dy i portës, i ka bindur drejtuesit blu dhe tashmë do të jetë një balotazh mes tij dhe Qirkos të sapoafruar.

Portieri 24-vjeçar numëron jo shumë ndeshje në Superiore pasi, siç dihet, Frashëri për dy sezone ishte i padiskutueshëm.

Çeleski cilësohet si një nga të rinjtë premtues në rolin e tij, ndërsa plani i bluve është që ta inkuadrojnë, duke luftuar me Qirkon për një vend si titullar.