Ndoshta edhe më optimisti, nuk do ta kishte besuar se ndërmjet ekipeve të zgjedhura të FSHV-së për kupën e vënë prej saj, Teuta e Durrësit do të shtrinte ambicien në pronësimin e këtij trofeu. Jo se ekipi kishte diferenca nga të tjerat, por se Tirana dhe UMB Volej, me sponsor, mbështetje financiare dhe kualitete të spikatura të volejbollit shqiptar të femrave ishin më të kuotuara për të qenë fituese në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.

Federata Shqiptare e Volejbollit dhe sekretari i saj Leonard Tase, për të shtuar këtu edhe angazhimet aktive të zëvëndëspresidentit Agron Duka gjithnjë e kanë respektuar volejbollin durrsak. Pjesë e këtij vlerësimi, është edhe kalimi i kupës së FSHV-së në Durrës, duke hapur siparin e veprimtarive kombëtare të sezonit. Katër ekipe: Teuta, Partizani, Tirana dhe UMB Volej ishin caktuar të zgjidhnin ndërmjet tyre ekipin fitues, duke besuar se ky trofe është nga më të rëndësishmit së bashku me titullin kampion dhe fituesen e Kupës së Shqipërisë.

Kronika

Për ta orientuar sa më mirë lexuesin, është rasti të trajtojmë në gjuhën e shifrave kronologjinë e kupës që mban emrin e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Trofeu nisi të martën ku siparin e hapi ndeshja Teuta – Partizani. Ekipi kampion i Minatorit të Rrëshenit që është në krizë organizimi, i hapi dritën jeshile Partizanit që drejtohet nga ish volejbollisti i njohur Roland Tare.

Ky ekip mbeti në fakt rivalja e Teutës në përpjekje për të fituar kupën. Për atë çka u pa në fushën e lojës dhe çka dhanë ekipet, vendaset e dominuan plotësisht lojën duke fituar thellësisht 3-0, me rezultatet 25-17, 25-21, 25-17. Çifti tjetër krijohej nga Tirana dhe UMB Volej, që në ballafaqimin ndërmjet tyre do të përcaktonin ekipin e dytë finalist, pas përcaktimit të Teutës.

Pas një loje dramatike dhe me rivalitet, fiton UMB Volej 3-1 me pikë teknike 25-22 (për Tiranën) dhe 25-20, 25-23, 25-18. Të mërkurën e 12 shtatorit në parket vendosen vajzat e Teutës dhe UMB Volej-it. Universitaret e Marin Barletit, krahas trajnerit pasionant Hasan Gurabardhi, kanë në përbërje të tyre lojtare cilësore si Enkeleda Braho, Erblina Bici, Romina Matoshi, Albana Vokrri, Malvina Tuci dhe Megi Dervishi.

Ky ekip i kompletuar edhe në stol, duke fituar me ekipin e fortë të Tiranës, mendohej se do ta kishte të lehtë dyluftimin me Teutën. Por fituesja nuk përcaktohet në letër, por në parket dhe për këtë volejbollistet durrsake kanë meritë të veçantë, sepse ishin nervi dhe bukuria e lojës. Që në setin e parë, u pa qartë se Teuta nuk kishte për të qenë pengesë e lehtë për vajzat e ardhura nga Tirana. Kjo doli në pah që në setin e parë. 25-15 për Teutën ishte fillimi i një sfide tejet interesante dhe me vlera emocionuese.  

UMB Volej përgjigjet me gjuhën e përgatitjes dhe i rrëmben Teutës dy sete 25-18 dhe 25-16. Këtu qendron edhe bukuria, si dhe surpriza më e këndshme e spektakolare e ndeshjes. Tekniku Jazexhiu besoi tek aftësitë dhe mundësitë e lojtareve që kishte muaj që i përgatiste për suksesin e këtij ballafaqimi të rëndësishëm. Përgatitja e lartë fizike ishte veçori dalluese ndaj rivaleve.

Shërbimi, organizimi, pasimi dhe finalizimi i aksioneve bëhej i saktë duke u shoqëruar vazhdimisht me pikë. Gjendja e seteve barazohet 2-2. Në setin e katërt Teuta arrin të fitojë 25-17. Loja kalon në setin final dhe drithërues. Tifozeria mbështet lojtaret durrsake. Kundërshtari çorientohet. Të gjitha lojtaret janë në një ditë të mirë dhe historike për volejbollin durrsak. Fitorja 15-7 dhe e ndeshjes 3-2, shoqërohet edhe me fitoren e kupës së FSHV nga Teuta.

Suksesi i merituar, por edhe një gëzim i ligjshëm dhe i papërshkruar. Leonard Tase dhe Agron Duka, i japin trofeun kapitenes së ekipit Borana Begiç dhe përgëzojnë për suksesin tërë grupin e lojtareve, trajnerin Edmond Jazexhiu dhe sekretarin e klubit shumësportesh Teuta, Emiljan Jani.

Protagonistët

Koinçidenca vjen e bukur dhe paraqet interes për t’u trajtuar. Teuta për herë të dytë bëhet fituese e kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit. Kjo ndodhi fillimisht në vitet e arta të fund viteve 90-të dhe fillimin e viteve 2000. Por për trajnerin Jazexhiu, evenimenti pasuron biografinë dhe karrierën e tij sportive.

Teksa shikojmë vajzat të qeshura dhe të gëzuara, madje edhe me lot në fytyrat e tyre për këtë sukses të ndjeshëm, nuk mund të mos kujtojmë 27 shkurtin e vitit 2007. Ekipi i femrave të Teutës nën drejtimin e Edmond Jazexhiut, pas 7 viteve rikthen në Durrës kupën e Shqipërisë, duke mundur Dinamon thellësisht 3-0.

Çfarë ekipi dhe me çfarë emrash ishin protagonistë atëhere? Esma Muho luante së bashku me të bijën Jonidën, duke përbërë ndoshta një nga kuriozitetet më të pashembullta jo vetëm në volejbollin durrsak, por edhe në atë kombëtar. Ishte gjithashtu edhe kapitenia e ekipit Borana Begiç, atëhere një vajzë e talentuar dhe 20 vjeçare.

Ekipi kishte në përbërje edhe Kristina Dumen, Anila Hoxhën, Albina Sadikun, Çezarina Xhekën dhe Alketa Macukullin. Por në sajë të mbështetjes financiare të Ramazan Kërçukut, kishin ardhur për të luajtur në Durrës edhe dy ukrainaset Naumenko dhe Zheliznikova, si dhe bullgarja Bogova. Teuta në elitë. Por edhe kjo fitore, ndonëse nuk është titull kampion as kupë Shqipërie, nuk bie poshtë nga vlera dhe cilësitë pozitive të treguara.

Shtatë lojtare mbajnë peshën kryesore të ballafaqimit dhe kanë të drejtë të krenohen me arritjen e tyre më të re. Këto janë: Borana Begiç, Amarilda Llupo, motrat Smalja – Greta dhe Sejda, Rozalba Guza, Ornela Gashi dhe Arta Zakova. U bë çka ishte më e mira, duke pritur mirë topin e parë, e më tej Gashi e qendiste pasimin duke ia kaluar topin në duart e Begiçit, Gretës dhe Sejdës, Artës e veçanërisht Rozalbës, të cilat me shutin e tyre të fuqishëm bënë kërdinë mbi kundërshtarin.

Por nuk mund të mos vendosësh në podin e nderit të këtij shkrimi edhe lojtaret e tjera si Alesia Dallupi, Irena Maloku, Inesa Plaku dhe Rosela Sadiku. Dhe ky ansambël është vënë në sinkron dhe është përgatitur për të fituar nga Edmond Jazexhiu, një volejbollist i afirmuar i Teutës dhe Erzenit cilësor, në bashkëpunim me kolegen e tij Kozeta Gjoni që punon në kolegjin Turgut Ozal.

Ajo që të ngarkon me optimizëm është puna e jashtëzakonshme që kryen Jazexhiu me vajzat, vëmendja e tij për t’i zhvilluar ato jo vetëm fizikisht dhe profesionalisht, por edhe në qëndrimin korrekt dhe serioz në mjediset qytetare në sport dhe jashtë tij. Jazexhiu ka krijuar në ekip një familje të madhe, ku secili respektohet dhe çmohet për ndihmesën e tij.

Drejtues dhe lojtare kanë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin edhe me familjet, të cilat u japin kurajo atyre dhe i mbështesin për të kapur këto tregues të mjeshtrisë. Teuta fituese e kupës së FSHV-së për vitin 2012, i bëri nder jo vetëm emrave që e prodhuan këtë sukses, sportdashësve, por edhe traditës së vyer të Durrësit në volejboll. Sigurisht kjo arritje, do të nxisë ekipin e Teutës për një përfaqësim akoma më kualitativ në garën e vështirë të kampionatit dhe kupës së Shqipërisë. Suksese vajza! Kjo fitore vërtet është një nismë e mirë.