Klubi i Teutës nuk po kalon një periudhë të qetë, pasi ka harruar fitoret në kampionat duke rrëshqitur pak nga pak rrezikshëm drejt grupit të skuadrave që po luftojnë për mbijetesën. Humbja ndaj Vllaznisë plotësoi një fazë të plotë pa fitore për durrsakët, të cilët për herë të fundit kishin fituar pikërisht ndaj shkodranëve në fazën e dytë të kampionatit. Dhe në këtë moment emergjence, gjërat durrsakëve mund t’ua komplikojnë më shumë vetë tifozët e tyre. Ata kanë tentuar që të përplasen me tifozerinë shkodrane gjatë takimit të djeshëm dhe kjo bën që Teuta të rrezikojë një ndëshkim të rëndë nga FSHF.

Gjatë lojës, dje u tentua përplasja mes tifozerive që ishin në tribunat ngjitur. Fillimisht kishte gurë e fishekzjarrë, ndërsa një pjesë e tifozëve durrsakë u futën në pistë dhe nga karshia kërkuan të shkonin e ziheshin me tifozët shkodranë në cepin tjetër të stadiumit.

Situata ishte kaotike për disa minuta, por për fat u qetësua. Megjithatë, pasojat mund t’i vuajë Teuta me një dënim me gjobë të majme që nuk do të kursehet nga FSHF, ndërsa realisht rrezikon edhe mbylljen e dyerve të stadiumit, siç ka ndodhur për klube të tjera në raste të ngjashme. Kjo mund të sjellë pasoja edhe për ekipin në fushë, në një moment kur prania e tifozëve në Durrës kishte qenë një shtysë më shumë për skuadrën në këtë sezon.