Diego Longo do të këtë në përbërje një tjetër Teutë këtë sezon, ndryshe nga ai ekip që ishte në kampionatin që sapo u mbyll. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për pak kohë, kjo tregon ndryshimet e shumta që janë ndërmarrë në këtë skuadër, ku sigurisht revolucioni më i madh ndodhi sezonin që sapo lamë pas, por që sërish rezultoi një dështim.Në fakt, Teuta kishte gjetur një stabilitet në 4 sezonet e fundit, ku lëvizjet nuk kanë qenë të shumta në merkato dhe duke bërë që secili trajner ta kishte pothuajse gati skuadrën. Ndërsa këtë sezon, “muzika” do të ndryshojë dhe Teuta do të behet nga fillimi, duke mos pasur shumë lojtarë në dispozicion nga sezoni paraardhës.

Në fakt, kur skuadra vjen nga një sezon i dështuar, ata që e pësojnë janë edhe vetë lojtarët, sepse nuk kanë qenë brenda pritshmërive. Një situatë e tillë ishte te Teuta këtë vit, sepse ekipi dështoi, ndaj edhe largimet janë të konsiderueshme.Nga një vëzhgim i bërë, 12-14 janë lojtarët në Teutën aktuale që do të punojnë sërish me Longon, me të tjerët që janë larguar për në skuadra të tjera.Bëhet fjalë për të qëndruar: Pano Qirko, Artan Jazxhi, Blerim Kotobelli, kapiteni Emiliano Vila, David Gjinollari, Arber Çyrbja dhe Lorenco Vila e Klejdi Daci. Të gjithë kanë qenë lojtarë të rëndësishëm të formacionit, ashtu si edhe portieri Qirko, që do të kthehet pas Europës me Partizanin, të cilët edhe këtë vit duket se do të jenë pikat kryesore në të cilat do të mbështetet tekniku italian.

Me përfundimin e sezonit, i cili nuk ishte i duhuri në Durrës, kjo për faktin se nuk u arritën objektivat e caktuara, trajneri Diego Longo duhet të rinisë gjithçka në fillim dhe të rikthejë një ekip pretendent, ashtu siç ka qenë përgjatë viteve të fundit në elitën e futbollit shqiptar.Për lojtarët që kanë një kontratë të vlefshme, nuk duket se do të ketë ndonjë problem, sepse të gjithë do të jenë pjesë e Teutës në fillim të përgatitjeve për kampionatin e ardhshëm. Me mbylljen e këtij edicioni largimet nuk janë të pakta, pasi deri më tani bëhet fjalë për 5 futbollistë që e kanë mbyllur me durrsakët.Fillimisht u larguan Albion Marku, Sherif Kallaku dhe Ildi Gruda, ndërsa pas tyre ikën edhe Kuros e Goxha, të cilëve u mbaroi kontrata dhe nuk ishin më në planet e klubit. E njëjta situatë është edhe për Qaqin, që është sa larg dhe afër. Me pak fjalë thuajse një formacion i tërë është larguar dhe Teuta do të duhet të gjejë patjetër zëvendësuesit e tyre.