Skuadrat e kampionatit “Abissnet Superiore” do të zbresin në fushë të dielën dhe të hënën për të luajtur javën e 30-të.

Sfida e parë e kësaj jave është Kukësi – Dinamo City, e cila do të luhet në “Kukës Arena” në ora 15:00.

Në orën 18:00 Teuta do të presë në stadiumin “Niko Dovana” Laçin, në një ndeshje ku vlen vetëm fitorja.

“Djemtë e Detit”, pësuan një humbje që dhemb nga Dinamo dhe tani ëndrra për të shkuar në final 4 u zbeh. Megjithatë Teuta do të luftojë deri në fund.

Dita e diel do të kulmojë me takimin Partizani – Vllaznia, që do të luhet në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

Një ndeshje që premton spektakël, pasi për të dyja skuadrat do të jetë një provë e vërtetë para sprintit final të Superiores.

Të hënën në orën 18:00 do të luhen dy takimet e fundit të kësaj jave. Erzeni do të përballet me Egnatian në stadiumin “Arena e Demave”, ndërsa Skënderbeu – Tirana do të zhvillohet në stadiumin e Korçës.