Teuta hedh një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës në Kategorinë Superiore. Skuadra e Gugash Maganit fitoi minimalisht përballë Korabit dhe krijoi një distancë sigurie nga zona e rënies nga kategoria.
Vendimtare në “Niko Dovana” ishte penalltia e fituar dhe e ekzekutuar nga sulmuesi Andi Ribaj në minutën e 56-të të sfidës. Episodi, për të cilin gjyqtari debutues në elitë Indrit Myrtaj nuk kishte asnjë dyshim, iu mjaftoi durrsakëve të merrnin maksimumin e pikëve, në një ndeshje të dominuar në fushë.
Sinjalit të parë të rrezikshëm të Korabit me Mziun, vendasit iu përgjigjën me Ribajn, që shpërdoroi një mundësi shumë të mirë. Dëshpërimisht në kërkim të pikëve, dibranët provuan edhe me Jubanin, ndërsa portieri Laço ishte vendimtar në tentativën e Prognit, që synoi ta gjente të papërgatitur. Përpara pushimit ndërmjet pjesëve, për Teutën provoi pa sukses Ribaj, që në të 28-ën shpërdoroi një tjetër mundësi të mirë me kokë, ndërsa pak çaste më pas nuk përfitoi nga një top i mbetur në zonën kundërshtare.Minuta e 55-të solli momentin që vendosi ndeshjen, me Ribajn që fitoi 11-metërsh pas duelit me Kajën dhe nuk gaboi nga pika e bardhë. Korabi kërkoi të reagonte me krenari, por Denis Peposhi nuk inkuadroi portën, ndërsa Artur Magani kishte një shans të shkëlqyer të dyfishonte shifrat për Teutën. Pas sulmuesit peqinas, edhe Musta mund të kishte mbyllur çdo diskutim, por i vetëm me portën u frenua nga portieri Laço.
Kapitullimi i Korabit ishte i gjithi në këtë moment, kur Shabani rrezikoi të realizonte autogolin e vitit, ndërsa dibranët pësuan humbjen e pestë radhazi dhe mbijetesa mbetet vetëm një shpresë aritmetike. Në anën tjetër, me suksesin e arritur, Teuta numëron 10 pikë të grumbulluara në 5 ndeshjet e fundit dhe ngjitet në kuotën e 26 pikëve, vetëm 3 më pak se Luftëtari i vendit të katërt.
Pas fitores së vështirë në shtëpi me rezultatin 1-0, trajneri i Teutës, Gugash Magani, nuk i gëzohet lojës por vetëm pikëve. Ndjekim deklaratën e tij të dhënë fill pas ndeshjes!