Teuta deri më tani ka zyrtarizuar pesë afrime, teksa nga Liria e Prizrenit ka marrë mesfushorët Ron Gashi dhe Florent Avdyli, kurse nga Laçi Sherif Kallakun. Sytë janë hedhur edhe në Kategorinë e Parë, pasi nuk mungojnë lojtarët cilësorë.

Nga Besëlidhja është afruar Edison Ndreca, i cili më parë ka luajtur në Superiore me Laçin, ndërkohë që ka provuar edhe një eksperiencë me Burrelin. Po me lezhjanët është arritur marrëveshja për Sekou Camara, sulmuesin anësor që vjet ishte pjesë e Flamurtarit. Ai arriti të shënojë tre gola dhe tanimë është bërë pjesë e durrsakëve.

Pranë firmës është Oumar Tourad Camara, mesfushori i cili me Besëlidhjen spikati sezonin e shkuar. Camara, me shtatë gola, ishte shënuesi më i mirë i skuadrës së tij, me dy gola më shumë se Edison Ndreca, me të cilin duket se do të jetë shok skuadre sërish këtë sezon në Durrës.

Me lezhjanët ai luan që në janar të vitit 2016, kur u kthye nga Besa, ku Besëlidhja e kishte huazuar. Për shërbimet e tij interesohej edhe Kamza e Kastrioti, por shumë shpejt mund të vijë zyrtarzimi te Teuta.

Miqësorja e nesërme me krutanët do të jetë e rëndësishme për disa prej lojtarëve që kanë mbërritur për provë te durrsakët. Trajneri Shkëmbi do t’i shohë të gjithë me vëmendje, pasi më pas do të hartojë edhe listën e futbollistëve që do të udhëtojnë drejt Ohrit, ku Teuta do të zhvillojë fazën përgatitore.

Momentalisht objektivi kryesor është gjetja e një sulmuesi cilësor, pasi për kapitenin Çyrbja zëvendësuesi është gjetur dhe është pikërisht Sekou Camara.