Gabriel Gomes është shitur te Imbari në ligën e dytë të Japonisë. Klubi i Teutës zyrtarizoi së fundmi konkretizimin e këtij operacioni ku edhe përfitoi financiarisht. Durrsakët e quajnë ofertë tunduese, ndërsa akoma nuk bëhet e ditur shifra për të cilën është rënë dakord. 26-vjeçari nga Brazili do të mbajë kujtimin e pesë ndeshjeve dhe një goli nga Teuta.
Njoftimi i Teutës: “KF Teuta finalizon shitjen e Gabriel Gomes, braziliani transferohet te FC Imabari në Japoni. Futbollisti i Teutës, Gabriel Gomes, ishte një nga risitë e Superiores në gjysmën e parë të kampionatit. Megjithatë, një ofertë tunduese e mbërritur në merkaton e janarit nga Japonia ka ndryshuar rrjedhën e aventurës së tij në Shqipëri, duke bindur drejtuesit e klubit të heqin dorë nga shërbimet e mbrojtësit. KF Teuta falenderon futbollistin Gomes për kontributin dhe i uron suksese në aventurën e re”, shkruan klubi i Teutës.





