Bledar Devolli nuk është më trajner i Teutës. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu.

“Duke analizuar situatën, e mbyllëm këtu marrëveshjen me Devollin. E mora me shumë dëshirë si trajner, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Kisha pritshmëri të mëdha”, deklaroi presidenti i Teutës. Hasanbelliu konfirmoi se trajner deri në fund të këtij kampionati do të jetë Bledar Hodo, ndërsa ndihmës të tij, përgatitësi i portierëve, Bledian Rizvani dhe përgatitësi altetik, Mark Dodaj.

Në faqen zyrtare klubi durrsak ka falenderuar Devollin për punën e deritanishme edhe pse të shkurtër:

“Klubi i futbollit Teuta njofton se ka shkëputur marrëveshjen me trajnerin Bledar Devolli. KF Teuta falenderon trajnerin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën blu, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen. “

I emëruar në krye të pankinës durrsake më 22 janar për të zëvendësuar Edi Martinin, aventura e ish-mesfushorit te ‘Djemtë e Detit’ ka zgjatur më pak se një muaj. Në katër takime tek Teuta në Superligë, Devolli ka siguruar vetëm një pikë dhe tre humbje, të cilat kanë bërë që presidenti Edmond Hasanbelliu ta largojë.