Teuta e nis si kampione rrugëtimin në Kupës e Shqipërisë. Fituesit në fuqi të këtij trofeu kanë kaluar pa problem Tërbunin dhe Edi Martini nuk kishte si të mos ishte i kënaqur.
Skuadra e tij shënoi 4 gola, por duke shpërdoruar shumë të tjerë. Numri një i pankinës së “djemve të detit” vlerëson paraqitjen e lojtarëve që luajtën dhe hapur e thotë se në organikën e tij nuk ka diferenca.
“Jam shumë i kënaqur me fitoren dhe kualifikimin. Kishim mundësi të shënonim më shumë gola, por më shumë rëndësi ka mënyra se si luajtëm dhe, siç e patë, unë në fushë kisha hedhur ekipin e dytë. Unë e kam thënë dhe e them që te ne nuk ka diferenca mes titullarëve apo stolit dhe kjo u vërtetua. Në përgjithësi jam i kënaqur”, u shpreh shkodrani i stolit së Teutës.





