Vllaznia-Teuta 0-2
Shënues: Musta 17’, Magani 75
Vllaznia: Dragojeviç, Pjeshka, Cicmil, Vrapi, Marku, Barbulla, Krymi, Sefa, Çinari, Shtubina, Kalaja Trajner: Armando Cungu
Teuta: Moçka, Lukiç, Hoxha, Shkalla, Kotobelli, Musta, Hila, Lena, Çyrbja, Magani, Bernardo Trajner: Gugash Magani
Gjyqtarë: Eldorian Hamiti, Ridigert Çokaj, Paulin Simoni
Skuadra e Teutës ka fituar sot me rezultatin 2-0 në transfertë ndaj Vllaznisë, për t’u barazuar të paktën provizorisht me skuadrën e Kukësit, në vend të tretë të klasifikimit, në kuotën e 48 pikëve në 29 javë kampionat. Një fitore shumë e vlefshme për durrsakët të cilët rikthehen te suksesi pas një humbjeje dhe një barazimi. Në kampin tjetër, Vllaznia duket se ka harruar tashmë suksesin e tre fitoreve radhazi, teksa sot regjistroi humbjen e dytë në vijim, për të ndalur hovin e ringritjes, por gjithsesi pa rrezikuar rikthimin në zonën e akullt, ku gjendet Tërbuni, Bylis e Flamurtari.
Nuk ka zgjatur më shumë se 17 minuta që skuadra e Teutës, të shfaqë hapur superioritetin e saj ndaj Vllaznisë, ndonëse në fushën e kësaj të fundit. Pikërisht në minutën e 17’-të, Musta ka kaluar durrsakët në avantazh pasi ka shfrytëzuar maksimalisht një krosim nga e djathta, për të dërguar topin në rrjetë. Në epërsi me rezultatin 1-0, Teuta nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi cilësinë e saj për të menaxhuar në mënyrë të përsosur lojën kur ndodhet në avantazh.
Nga ana tjetër, krejtësisht të pafuqishme dhe të pasuksesshme kanë qenë tentativat e shkodranëve për të barazuar shifrat. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë fraksion të dytë të lojës, përkundrazi, miqtë kanë konfirmuar dhe ritheksuar superioritetin e tyre, teksa në minutën e 75’-të të takimit kanë dyfishuar rezultatin me anë të sulmuesit Magani. Ndërsa në kampin shkodran është rikthyer pesimizmi.
Pavarësisht ndryshimeve dhe tentativave të aplikuara nga trajneri Cungu, skuadra e Vllaznisë nuk ka mundur të konkretizojë asgjë në rezultat. Përkundrazi, kuqeblutë kanë regjistruar humbjen e tyre të dytë.