Pasditen e djeshme Teuta ka mbërritur në Korçë pas tri orëve udhëtim me ndalesa, teksa ka arritur në qendrën stërvitore rreth orës 19:30. Nga sot do të fillojë dhe zbatimi normal i programit të stërvitjes me dy seanca të plota në ditë. “Djemtë e detit” janë vendosur në një nga hotelet e qytetit juglindor, ku do të zhvillohet faza më kryesore e përgatitjeve.

Ekipi kishte udhëtim të rehatshëm dhe në orët e pasdites u vendos në hotel, ku do të qëndrojë dy javë. Skuadra ka lënë Durrësin me temperatura të larta dhe po shijon klimën e freskët në Korçë.

Teuta është akomoduar në një hotel komod, me të gjitha nevojat për një skuadër futbolli, ndërsa moti i mirë, terreni ideal dhe temperaturat shumë të favorshme i japin ekipit të gjitha kushtet për realizim të mirëfilltë të programit përgatitor.

Programi i ditës së sotme është ndarë në tri se anca. Paradite skuadra do të zhvillojë një stërvitje të plotë, teksa pasdite lojtarët do të vendosen fillimisht në palestër e më pas do të zbarkojnë në fushë.

Në fundjavë pritet të fillojë edhe seria e ndeshjeve miqësore. Ambiciet e klubit dihen dhe në asnjë moment nuk e hedhin poshtë synimin për ta luajtur në dy fronte, titullin kampion dhe Kupën.

MERKATO – Fakti që Teuta nuk luan në Europë i jep njëfarë luksi klubit dhe trajnerit Arapi që të mos nxitohen dhe të studiojnë mirë lojtarët që do të afrojnë.

Ecuria jo fort e mirë e ekipit durrsak në kampionatin e fundit ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit, të cilët po mendojnë të ndërhyjnënë merkato, pasi afrimet që u bënë në verën e kaluar nuk bindën.Në këto kushte merkatoja do të jetë në çdo repart, veç portës.

Qirko dhe Dema janë siguri për Teutën për të ardhmen, ndaj klubi nuk ka menduar të afrojë në ekip një tjetër gardian.Reparti, që pritet të përforcohet më së shumti është ai i mbrojtjes, ku durrsakët kanë vuajtur shumë në sezonin e fundit.Duke ditur se merkatoja e verës ofron shumë mundësi, pritet që futbollistët të vijnë nga brenda vendit.

Teuta e sezonit të ri po hartohet. Klubi ka për qëllim vendosjen e themeleve dhe përgjatë kësaj kohe ata po punojnë me riformatimin e skuadrës. Afrimet e reja do të jenë të pikasura me kujdes dhe profesionalizëm.