DURRES – Teuta e ka vlerësuar maksimalisht ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit, të cilën do ta luajë të dielën në “Niko Dovana” ndaj Shkumbinit. Në kampin durrsak, e në veçanti, mbrojtësi Artan Sakaj, është optimist se skuadra e tij do dalë fitimtare nga sfida me peqinasit. Vlonjati parashikon një ndeshje shumë të vështirë dhe pranon se presioni mbi skuadrën e tij është shumë i madh.
“Do ta kemi shumë të vështirë ndaj skuadrës së Shkumbinit, të cilën jemi të detyruar ta mundim. Kjo e bën më të vështirë sfidën, pasi presioni mbi ne është i madh. Jemi të detyruar ta fitojmë këtë përballje, sepse nuk do të kishte sens të ndodhte ndryshe. Skuadra është përgatitur gjatë gjithë javës për këtë ndeshje dhe nuk do të pranojë rezultat tjetër përveç fitores. Ka ardhur koha të mbledhim forcat dhe të tregojmë që jemi një skuadër e kompletuar dhe e denjë për të vijuar në mënyrën më të mirë pjesën e mbetur të kampionatit. Për mendimin tim duhet t’i fitojmë me patjetër të dyja ndeshjet që kemi brenda në fushën tonë”,- tha Sakaj.
Duke vijuar më tej, mbrojtësi vlonjat nënvizoi edhe një herë se dy ndeshjet e para duhen fituar me çdo kusht, pasi është shpresa e vetme për të pretenduar për titullin. “Këto dy ndeshje do të jenë vendimtare në ecurinë e skuadrës dhe do të përpiqemi që të mos humbasim asnjë pikë nga të dyja përballjet. Janë 6 pikë, të cilat në kushtet ku ndodhemi do të na bënin mjaft punë, por përveç gjithçkaje do të na mbanin në garën për titullin. Patjetër që nuk do të jetë e lehtë, pasi kundërshtari ka krijuar një diferencë të madhe, por jo të parikuperueshme”,- përfundoi mbrojtësi.