Teuta u ndal për herë të parë pas 6 ndeshjesh radhazi në Adush Muca ndaj Bylisit. Humbja e 4 sezonale në javën e 15 të superligës, erdhi me një lojë zhgënjyese, aq sa në përfundim të saj vetë trajneri Gugash Magani kritikoi skuadrën e tij. Djemtë e Detit janë konsideruar si hirushja e kampionatit, pasi për momentin po shfaqen si forca e tretë e tij, pas Partizanit kryesues dhe Skënderbeut të vendit të dytë. Megjithatë në këtë pikë, Teuta tregoi se ka disa limite dhe në fushë është një ekip i brishtë pa disa titullarë. Mungesat në mbrojtje të Slavko Lukic, Blerim Kotobellit dhe Rustem Hoxhës u ndjenë shumë në këtë 90 minutësh, pasi porta e Shpëtim Mockës ishte një shënjestër e vazhdueshme e sulmuesve ballshiot.
Në aspektin sulmues skuadra ishte apatike dhe ra në sy mungesa e mesfushorit Bruno Dita, që pavarësisht se jo në gjendjen optimale e ndryshoi lojën me aktivizimin e tij në 45 minutat e dyta. Në këtë mënyrë ajo që bie në sy është se Teuta nuk e mban dot presionin e rezultateve, por mbi të gjitha lojtarët e stolit nuk japin garancinë e titullarëve. Ndaj Bylis ishin të shumtë lojtarët që nuk dhanë atë që pritej, duke mos justifikuar besimin e dhënë, por edhe titullarët u dukën të lodhur dhe pa fantazi, ndaj një kundërshtari që kishte arrnuar formacionin pas ndëshkimeve të fundit nga komisioni i etikës. Ndaj Skënderbeut detyra kryesore e trajnerit Magani është të rikthejë entuziazmin e fillim sezonit, në mënyrë që futbollsitët e tij të shprehen lirshëm në fushë.