Skënderbeu ka më pak se 36 orë kohë të rikuperojë energjitë pas angazhimit në Europa League. Për të besuarit e Mirel Josës nuk ka pushim. Menjëherë pas sfidës me Lokomotivën e Moskës, korçarët duhet të menaxhojnë forcat për ndeshjen e javës së 16-të të Kategorisë Superiore.
Edhe pse fillimisht FSHF përcaktoi se trasferta e korçarëve në fushën e Teutës do të luhej të hënën, më 14 Dhjetor, ndeshja u afrua me një ditë. Sfida në Niko Dovana ku kampionët e Shqipërisë do të provojnë të ruajnë hapin e kryesuesve të Partizanit, në pritje të duelit direkt, do të luhet të dielën në orën 17:00.
Ishin drejtuesit e klubit të Teutës që i kanë kërkuar FSHF-së që ndeshja ndaj Skënderbeut të zhvillohej të dielën, më 13 dhjetor dhe jo të hënën, siç e kishte planifikuar departamenti i garave, në institucionin e futbollit shqiptar.
Kjo javë e kampionatit hapet me dy ndeshje të përcaktuara të shtunën në orën 14:00, ku Laçi pret Kukësin në shtëpi, ndërsa Vllaznia luan sfidën direkte për mbijetesë me Tërbunin. Më tej, në orën 17:00 Partizani vendoset përballë Bylisit nën dritën e prozhektorëve të Qemal Stafës. Një tjetër ndeshje që luhet të dielën përveç Teuta-Skënderbeu, është ajo në Vlorë, ku Flamurtari vendoset përballë Tiranës, në takimin që starton në orën 14:00.





