DURRËS, 27 shkurt 2015 – Dy sezone më parë Teuta dhe Skënderbeu luftonin deri në fund përt titullin kampion, me durrsakët që bënin hapin fals në javën e fundit ndaj Kamzës. Por në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt dhe në harkun e dy sezoneve, Skënderbeu është ende aty për të luftuar për titullin ndërsa Teuta për mbijetesën. Megjithatë Djemtë e Detit i janë përgjigjur si të barabartë kampionëve këtë sezon, duke marrë një fitore të pastër në fazën e parë 2-0 dhe duke rrezikuar deri në fund në sfidën e fazës së dytë teksa u mundën 3-2.
Duket që diferencën në fundin e tabelës së klasifikimit midis Teutës dhe Elbasanit të vendit të 9 e bën fitorja me Skënderbeun më 27 shtator, një sukses që lejon durrsakët të kenë një diferencë qetësie me ndjekësit prej 7 pikësh. Nëse nuk do të ishte ajo fitore që përpara takimit shihej si e pamundur, distanca me Elbasanin do të ishte 4 pikë dhe ndoshta presioni i rënies mund të ndikonte tek Teuta, pasi diferenca e krijuar i lejon ndoshta dhe një gabim më shumë. Në një kampionat kur skuadrat janë të ndara në grupe përsa i përket objektivave, duket që ndeshje të tilla, ku suksesi apo humbja janë të pamenduara, rezutlatet e arritura mund të vendosin një fund të sezonit. Skënderbeu me një 3 pikësh më shumë, atë që ndoshta i mungon nga sfida e fazës së parë në Niko Dovana do të ishte sot në krye me pikë të barabarta me Kukësin, madje me golavarazh më të mirë, ndërsa Teuta do të ndjente pranë dihatjen e Elbasanit. Por futbolli rezervon të tilla surpriza dhe për këtë arsye, ky sezon mbetet për t'u parë deri në fund.





