Durrës, 23 mars 2014 – Pas fitores me Besën në kampionat, Teuta është e vetëdijshme se të paktën do të ketë mundësi që të përgatisë sa më mirë ndeshjet e radhës. Duke e nisur me Kupën e Shqipërisë dhe sfidën e nxehtë ndaj Kukësit, fillimisht në fushën e verilindorëve dhe më pas, pas një jave, në “Niko Dovana”. Një rezultat i mirë në sfidën e vajtjes, mund t’i japë shtysë skuadrës durrsake që të jetë më e qetë në kthim. Dhe të mendosh që, për ironi të fatit, po me Kukësin, do t’i duhet të luajë edhe në kampionat, pas dy javësh, pasi të ketë zhvilluar një sfidë në Krujë ndaj Kastriotit. Fitorja në derbin ndaj Besës, edhe pse minimale, është një injeksion optimizmi dhe besimi tek Teuta, që rikthehet të gëzojë dhe t’i japë trajnerit Biturku, që mori vendin e Sorrentinos, kënaqësinë e parë në pankinën durrsake. E megjithatë, tashmë nis edhe “maratona” e vërtetë për ekipin durrsak, që duhet të përgatitet për dy garime të ndryshme, por që të çojnë tek një objektiv: Europa. Sepse është kjo ajo që synon skuadra e Biturkut, që megjithatë e di se niveli i vështirësisë është rritur dhe përpos kësaj, duhet të bëjë llogaritë me shumë ekipe të tjera të forta që janë duke garuar për zonën që të jep “pasin” për të dalë jashtë kufijve. 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/