DURRES, 14 shkurt 2013 – Tashmë ky ekip i formuar me 5 talente të notit durrsak, ka pak ditë që ka krijuar shoqatë më vete. Është shkëputur nga klubi shumësportesh Teuta, duke aderuar më parë në të dhe për hir të një organizimi speficik për përshpejtimin e rezultateve cilësore, tashmë kanë krijuar Shoqatën Sportive më të re të notit Teuta Swimming.

Notarët durrsakë kanë asistencë të drejpërdrejtë profesionale nga specialisti i njohur italian Eros Pavon. Në më pak se një vit, Pavon po ndjek fëmijët durrsakë të notit si të ftuar në Itali, ashtu edhe në Shqipëri. Në ditët që ai nuk është prezent, ndiqet me përparësi programi i tij nga të asistuarit e tij Gjergj Ngresi dhe Eduart Berdaku. Kjo është hera e parë në notin shqiptar, që një profesionist italian (përgatitësi i Peligrinit të famshëm) trajnon me kërkesën e tyre notarë të moshave në Durrës.

Në këtë rrafsh është inkuadruar edhe ndihma aktive organizative edhe e presidentit të notit shqiptar Feim Alliu, i cili është interesuar për ecuri cilësore të notarëve dhe që do të jetë prezent në Hercegnovi. Italiani Eros Pavon i ndoqi notarët e Teuta swimming para dy javësh në pishinën Stela në Tiranë dhe mbrëmë ëshë ndodhur në Durrës. Arsyeja fare e thjeshtë. Me 16 dhe 17 shkurt, në Hercegnovi të Malit të Zi, organizohet edicioni i 17-të ndërkombëtar i notit Mimoza Cup. Dhe Pavon do të jetë aty krahas notarëve të vegjël durrsakë.

Por cilët janë ata? Aleksandër Ngresi, që trajtohet si një fenomen i notit shqiptar. Është 12 vjeçar. Ai udhëton në Hercegnovi me dëshirën e vetme, për t’u inkuadruar në elitën e notit ballkanik. Kohët e tij të notimit janë nga më të mirat e moshës. Notimi i tij do të bëhet në garat 50, 100, 200 dhe 400 m stil i lirë. I një shkalle me Ngresin është edhe 12 vjeçari Frenc Berdaku, që bëhet gati të notojë në 50,100 m stil i lirë dhe 100, 200 m katër notim.

Në parametra të përafërt me to janë edhe dy bashkëmoshtarët e tyre Jon Mujali (50, 100 m stil i lirë), Johan Ceka (100, 200 dhe 400 m stil i lirë). Me këtë grup 12 vjeçarësh është i pranishëm edhe 15 vjeçari Enea Zhupa që konkuron në 50 dhe 100 m stil i lirë. Synimi i këtij grupi të talentuarish notarësh është, të përmirësojnë rezultatet e tyre dhe rekordet kombëtare, si dhe më prezantimin e tyre të inkuadrohen në elitën e notit ballkanik.