Teuta ka në program një ndeshje të vështirë me Tiranën të shtunën, e për trajnerin Gugash Magani nuk do të jetë të gatshëm për këtë sfidë katër lojtarë. Tre prej tyre nuk ishin edhe në sfidën me Tërbunin, pasi Çyrbja, Hyseni e Musta kishin probleme shëndetësore.

Ndërkohë, në seancën stërvitore të së martës mungoi edhe sulmuesi Artur Magani, që po kalon një gjendje gripale. Gjithsesi, pritet të shihet gjendja e tij ditët në vijim për të përcaktuar nëse do të jetë i gatshëm për sfidën me bardheblutë që vlen shumë për Europën.

Gjithashtu pritet të shihet edhe gjendja e lojtarëve të tjerë, teksa Musta ka shumë gjasa të jetë i gatshëm për të shtunën, por shpresa ka edhe për Çyrbjen e Hysenin. Me rikthimin e tyre, trajneri Magani do të kishte më shumë alternativa për “finalen” e kësaj jave ndaj 24 herë kampionëve të vendit.