Teuta është skuadra e fundit që do t’i bashkohet kolonisë së ekipeve të Superiores në Antalia të Turqisë. Djemtë e detit do të udhëtojnë drejt Turqisë të mërkurën e 10 janarit, për të qëndruar atje për një periudhë 12 ditore.
Pas Skënderbeut, Kukësit, Flamurtarit, Partizanit, Kamzës dhe Luftëtarit, durrsakët janë të fundit që do të preferojnë resortet e Antalias dhe kushtet atje, për të përgatitur në mënyrën e duhur pjesën e dytë të edicionit.
Stavri Nica do të ketë një grup më të kompletuar, teksa aktualisht nuk ka asnjë futbollist të konfirmuar si afrim i janarit. Drejtuesit e klubit janë në bisedime më një mbrojtës të djathtë që vjen nga kampionati serb, ndërkohë që nuk ka bindur sulmuesi bullgar Apostolov, që është larguar.
Objektivat e merkatos së Teutës mbeten përforcimi në të 3 repartet, teksa sytë janë hedhur më së shumti në drejtim të sulmit, për të gjetur një element që mund të bëjë diferencën.
Në 16 javët e para durrsakët kanë treguar shumë oshilacione, pavarësisht se kanë treguar një futboll tërheqës, por jo rezultativ. Largimi i ish trajnerit Gugash Magani është shoqëruar edhe me firo në organikë, duke nisur me ish-kapitenin Nijaz lena, largime të cilat duhet të mbulohen me afrimet e reja.





