Teuta më 10 qershor do të ketë grumbullimin e parë në kuadër të përgatitjeve për Kupat e Europës. Durrsakët tashmë i kanë sytë nga Nioni, ku nga shorti i datës 19 qershor do të mësojnë kundërshtarin për turin e parë. Ndeshja e parë, që me shumë mundësi parashikohet të zhvillohet në Durrës më 11 korrik, ndërsa ajo e kthimit një javë më vonë në transfertë. Futbollistët e Teutës do të vazhdojnë të qëndrojnë pushim deri ditën e diel, pasi të hënën nisin përgatitjet.

Grumbullimi i parë është caktuar në orën 18:00 në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa pas mbledhjes dhe njoftimit të futbollistëve me planin e përgatitjeve nga ana e stafit teknik me në krye trajnerin Bledi Shkëmbi, ekipi do të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Ditët e para si zakonisht do të jenë të rezervuara për kontrollet dhe testet mjekësore. Nga data 10 deri më 16 qershor është parashikuar që ekipi të qëndrojë dhe të stërvitet në Durrës. Drejtuesit e Teutës kanë vendosur që fazën përgatitore për Europën skuadra ta zhvillojë në Itali, pikërisht në “Campo di Acquapartita” Rimini.

Nisja nga Durrësi do të bëhet në datën 17 qershor dhe ekipi do të qëndrojë dy javë të plota në shtetin fqinj. Gjatë përgatitjeve do të zhvillohen disa ndeshje miqësore, që do t’i shërbejnë trajnerit Shkëmbi dhe stafit teknik për kolaudimin e skuadrës. Lojtarët që do të afrohen priten të jenë në numër jo shumë të madh. Parashikohet që skuadra e sezonit të ardhshëm të ketë në përbërje lojtarë të rinj në moshë, duke qenë se edhe trajneri e njeh mirë mentalitetin e tyre dhe arrin që ta ketë më të lehtë punën duke marrë edhe rezultate.

Sa i takon merkatos, drejtuesit kanë mbajtur sekret çdo emër futbollisti me të cilët janë në bisedime, pasi publikimi i tyre do të bënte që tratativat të vështirësoheshin. Zyrtarizimet do të bëhen vetëm në momentin që lojtarët do të hedhin firmat mbi kontratë. Nga Teuta janë larguar Erlis Frashëri dhe Amadu Latif dhe nevoja për afrime është imediate. Megjithatë, drejtuesit janë të qetë në këtë drejtim, pasi kanë premtuar se do të ndërtojnë një skuadër cilësore.

Gjatë fazës përgatitore, te Teuta do të ketë dhe lojtarë në provë, si dhe do të zhvillohen disa ndeshje miqësore për të parë nga afër formën e çdo lojtari.Skuadra durrsake synon të paktën kalimin e një turi në Ligën e Europës këtë verë. Pas një mungese 3-vjeçare, Teuta rikthehet të luajë në Ligën e Europës, kujtojmë që hera e fundit që durrsakët kanë qenë pjesë e këtij kompeticioni ka qenë më 7 korrik 2016 ku u përballën me ekipin nga Kazakistani, Kairat Almaty. “Djemtë e detit” u mundën në të dyja ndeshjet në Durrës 0-1, ndërsa në Kazakistan 5-0.