Italiani Çezare Bexhi është prezantuar sot si trajneri i ri i skuadrës së Teutës, klub në të cilin ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare. Tekniku 46-vjeçar është prezantuar në një mbledhje të shkurtër para lojtarëve nga presidenti Edmond Hasanbelliu.
“Falënderojmë misterin, i cili pranoi ftesën tonë, një afrim që shërben edhe për të ndërruar imazhin tonë. Kemi menduar të ndërtojmë një projekt të ri në klub dhe menduam të marrim një trajner nga Italia që është me eksperiencë, ka drejtuar skuadra që janë mbi nivelin tonë si Askoli. Së shpejti do të vijë edhe ndihmësi i tij, nga Italia, ndërsa do të ketë edhe një ndihmës shqiptar. Kërkoj të jeni sa më korrekt për të mësuar nga ai. Falënderojmë misterin që sakrifikoi për të ardhur këtu”, tha presidenti i Teutës para futbollistëve.
Ndërkaq, Bexhi u tha lojtarëve se ai ishte i gatshëm të punonte me ta dhe thjesht kërkonte në këmbim përkushtimin e tyre.
“Ajo që pres është që të na prisni mua dhe ndihmësin tim me përulësi. Ne jemi të vendosur dhe kemi dëshirë të bëjmë sa më mirë, ndaj kërkojmë gatishmërinë tuaj për të punuar, për të ardhur me dëshirë për të punuar në stërvitje. Nëse i plotësoni këto kushte, jam i sigurt se do të kënaqemi”, tha Bexhi, i cili më pas ndoqi seancën e parë stërvitore të ekipit bregdetar.
Bexhi çon në tre numrin e trajnerëve italianë që drejtojnë në Superiore në këtë sezon, pas Agostinelit të Skënderbeut dhe Sormanit të Partizanit, ndërsa duhet thënë se bashkë me serbin Milinkoviç të Luftëtarit dhe Troisin e Laçit, çon në 5 numrin e teknikëve të huaj mes 10 skuadrave pjesëmarrëse.
Sipas “SuperSport”, trajneri i cili ka drejtuar mes të tjerave edhe në akademinë e Milanit, do të përfitojë 70 mijë euro në këtë edicion në drejtimin e Teutës.





