Djemtë e U-15 të ekipit të Teutës stërviten prej vitesh në aneksin e klubit dhe shumë prej tyre ëndërrojnë të jenë një ditë kampion në fushën e blertë.

Nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Kuçi, ata po hedhin bazat për të qenë futbollistë të suksesshëm në të ardhmen.

Në fillim të këtij muaji, ekipi U-15 mori pjesë në edicionin e parë të turneut ndërkombëtar “Argosped”, të zhvilluar në zonën e Bergamos, Itali.  

Turneu u sponsorizua nga biznesmeni shqiptar Holger Turra, si një dedikim ndaj gjyshit të tij, Bardhyl Turra, ish-futbollist i Teutës në vitet 50.

“Doja ta organizoja këtë event sportiv në nderim të gjyshit tim Bardhyl Turra, i cili lunate futboll por nuk arriti të evidentohej, edhe për shkak të motiveve politike. Ajo që i mungoi atij, nuk duhet t’u mungojë këtyre të rinjve. Ekipi i Teutës është në Kategorinë Superiore dhe presidenti i saj është më jetëgjati në post, sepse e drejton skuadrën që nga viti 1999. Është nder të kemi këtu një ekip nga Durrësi”,- tha Turra në fjalën hapëse të turneut.

Ndërsa shprehet me nota mjaft pozitive për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij turneu ndërkombëtar futbolli për moshat, trajneri Kuçi deklaron i kënaqur se djemtë e tij luajtën si të barabartë përballë rivalëve nga 3 ekipe italiane si Atalanta. AlbinoLeffe dhe Zognese.

Në përballjen me ekipet italiane, djemtë e Teutës morën një barazim, një humbje dhe një fitore, duke u renditur të tretët. Një nga arritjet më të mëdha ishte shpallja e sulmuesit Etrit Gjuzi, lojtari më i mirë i turneut. Për “DurrësLajm” ai rrëfen emocionet e përjetuara, por edhe ekipet ku ëndërron të luajë në të ardhmen, Teuta dhe Interi.

Një tjetër talent i ekipit është Redi Teferiçi. Ai udhëton çdo ditë nga Kavaja për t’u stërvitur në Durrës, ndërsa në ndeshjen e parë të turneut shënoi gol ndaj Atalantës, duke i dhuruar barazimin ekipit. Për të, e ardhmja do të jetë pazgjidhshmërisht e lidhur me futbollin.

Për trajnerin Kuçi, ekipi U-15 ka plot elementë të spikatur, që mund të japin shumë për futbollin në të ardhmen.

Djemtë e trajnerit Shpëtim Kuçi po përgatiten fort për kampionatin U-15 që pritet të startojë. Ekipi i parë është furnizuar gjithnjë me lojtarë të rinj nga ekipet zinxhir e kjo i shtyn futbollistët të punojnë fort për të qenë në të ardhmen pjesë e titullarëve të Kategorisë Superiore.

M.B.