6 qershor 2015 –Ditët në vijim do të jenë përcaktuese për fatin e disa prej lojtarëve, të cilët janë në fund të kontratës së tyre me Teutën. Pritet që lojtarët të takohen me stafin drejtues të klubit, i cili së bashku me trajnerin Gugash Magani, po punojnë duke analizuar formën dhe pritshmëritë e secilit prej futbollistëve që do të seleksionohen në vazhdim.

Sigurisht që priten largime dhe afrime të shumta gjatë merkatos verore, por ka të ngjarë që prurjet të kryhen pasi drejtuesit të vendosin mbi lojtarët aktualë nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës apo do të largohen.

Pas këtij seleksionimi, pritet që drejtuesit durrsakë të hedhin sytë drejt skuadrave të tjera, për të “rrëmbyer” ndonjë element cilësor brenda dhe jashtë vendit. Vetë drejtuesit janë shprehur se do të bëjnë merkato cilësore, duke afruar në ekip elemente që të bëjnë diferencën, por deri më tani nuk ka asnjë emër konkret.

Emërimi i Maganit është pritur me shumë entuziazëm në radhët e tifozerisë durrsake. Kjo e fundit pret me padurim ndonjë goditje cilësore nga presidenti Hasanbelliu, por këtë radhë sa u përket lojtarëve.

“Magani është njeriu i duhur për pankinën e Teutës”, shprehen njëzëri ultrasit durrsakë, duke besuar shumë tek trajneri peqinas.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/