Teuta vijon përgatitjet në terren. Në seancën e rradhës stërvitore për sfidën ndaj Lushnjës në transfertë, binte në sy trishtimi i futbollistëve. Ndryshe nga herët e tjera kur lojtarët, por edhe stafi teknik “këmbejnë” me njëri-tjetrin batuta, lojtarët kanë qenë të heshtur.
Kjo për shkak të ecurisë tepër negative në javët e fundit dhe të gjithë janë koshient se nuk e kanë bërë mirë detyrën e tyre në fushë, duke gabuar vazhdimisht në takimet e fundit. Humbja me Skënderbeun ka lënë një shije të hidhur në kampin durrsak për mënyrën se si erdhi.
Për ta kaluar këtë moment trajneri Gugash Magani kërkoi nga të tijtë të hedhin pas krahëve atë që ka kaluar dhe të fokusohen vetëm te ndeshja me Lushnjën ku kërkohet kthesa. Edhe lushnjarët ndodhen në një situatë tepër të vështirë, por në Durrës janë të bindur se ky është kundërshtari i duhur për t’u rikthyer te sukseset. Në stërvitje i gjithë grupi i futbollistëve ishte në dispozicion të trajnerit peqinas.
Lajmi i mirë për durrsakët është se edhe sulmuesi Reza Karimi ,që erdhi me formulën e huazimit nga Skënderbeu gjatë këtyre ditëve, ka treguar një formë të mirë fizike dhe mund të jetë në dispozicion të trajnerit Magani.
Zëvendëstrajneri Klodian Dervishi sqaroi se 19-vjeçari gradualisht ka ardhur në formë pas një pune intensive dhe është një alternativë për repartin e avancuar. Gjithashtu edhe Osemene, i cili në ndeshjet e fundit nuk ka qenë në dispozicion, është një opsion për bregdetarët, ndonëse sipas stafit teknik akoma nuk është aty ku duhet.





