Teuta po zhvillon fazën përgatitore në Itali për tri javë. Skuadra ka pësuar shumë ndryshime në grupin e lojtarëve dhe trajnerit Gugash Magni i duhet shumë punë për konsolidimin e grupit. Trajneri peqinas ka pohuar se për këtë arsye do të luhen në Itali 6 ndeshje miqësore: “Në Itali do të qëndrojmë tri javë dhe do të zhvillojmë 6 ndeshje miqësore me ekipe si Çezena, Rimini, Kombëtaren e San Marinos e kundërshtarë të tjerë. Grupi ka ndryshuar në krahasim me sezonin e kaluar, por e ritheksoj se asnjë lojtar nuk e kemi larguar ne. Kanë ikur ata, të cilëve u përfundonte kontrata. Sulmuesi Semin Haxhibulliç është pjesë e Teutës dhe do të jetë me ne në Itali”, – u shpreh trajneri i Teutës. Ditët e fundit skuadra durrsake ka bërë disa afrime, duke nisur nga mbrojtësi Ante Hërkaç, për të vazhduar më pas me rikthimin e Albi Dostit, afrimin e dy vlonjatëve Arbër Beqaj dhe Ardit Shehaj, afrimin e mbrojtësit Hakaj nga Partizani, boshnjakut Dediç dhe së fundi të sulmuesit Semin Haxhibuliç.
Por më parë ishin shumë nga titullarët e skuadrës së sezonit të fundit, siç janë Rustem Hoxha, Bruno Dita, Artur Magani, Andi Ribaj, Blerim Kotobelli, Gerhard Progni, Erand Hoxha, Ergi Borshi, Faizal Bangal e Emiljano Musta. Trajnerit Magani i nevojiten sa më shumë miqësore që ta lidhë skuadrën e re, ndaj dhe ka programuar 6 miqësore në Itali, një ndeshje çdo 3 ditë. Largimi i fundit nga Teuta është ai i Enriko Papës, i cili ka marrë lejen e kalimit nga klubit durrsak dhe tani është lojtar i lirë. Papa u bashkua sezonin e fundit me Teutën, pas eksperiencës me Tiranën. Largimin nga Teuta e ka konfirmuar vetë lojtari, që tani kërkon një përvojë të re. Me ekipin nuk udhëtuan në drejtim të Italisë Enriko Papa, Tarik Cmajcanin dhe Fabio Hasa. Ish-futbollisti i Tiranës, Enriko Papa, ka marrë leje kalimin dhe ka dalë lojtar i lirë. Mesfushori serbo-boshnjak është larguar në çastet e fundit, por Tarik shpreson të mbetet në futbollin shqiptar. Ndërsa ish-lojtari i Partizanit, Fabio Hasa, edhe pse u përgatit me ekipin një ditë para nisjes për në Itali, nuk u përfshi në radhët e Teutës. Por me ekipin ka udhëtuar elbasanasi Bilali, i cili duket se e ka bindur trajnerin Magani gjatë ditëve të provës dhe është grumbulluar me ekipin për fazën përgatitore. Në ditët në vijim pritet që me ekipin të bashkohet dhe nigeriani Sunday, i cili ka arritur marrëveshjen me durrsakët. Shpresohet që gjatë fazës përgatitore në Itali, Teutës t’i bashkohet edhe sulmuesi në pronësi të Interit, Ze Turbo.