Kategoria Superiore është ndërprerë për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare. Kjo pauzë ka shërbyer si oksigjen për Teutën, që ka pasur mundësi të rikuperojë energjitë dhe të përgatitet maksimalisht për sfidën e radhës ndaj Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të kampionatit. Në Durrës, atmosfera është pozitive dhe entuziazmi ndjehet qartë. Fitorja ndaj Bylisit ka rikthyer besimin në ekip, ndërsa trajneri Enkeleid Dobi po punon me intensitet të lartë për të rritur vetëbesimin e skuadrës. Sipas tij, ky është çelësi për të përballuar me sukses ndeshje me peshë si ajo e fundjavës ndaj Tiranës.

“Skuadra duhet të jetë e qetë psikologjikisht, pa presionin e pikëve. Vetëm kështu mund të japim maksimumin në fushë”. Ky është mesazhi që Dobi u ka përcjellë lojtarëve të tij. Në tri javët e fundit, Teuta është përballur me disa mungesa, por ekipi nuk e ka ndier shumë këtë fakt. Durrsakët janë treguar kompaktë, simpatikë dhe në rritje të dukshme. Disa nga afrimet e verës tashmë janë në formën e tyre më të mirë, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa.

Në Durrës e shohin ndërprerjen si një mundësi për të punuar në qetësi dhe për të përmirësuar aspektet teknikotaktike. Skuadra tashmë renditet në zonën e kreut dhe kërkon të ruajë këtë ritëm. Fitorja ndaj Bylisit ishte “detyrim” që u përmbush me sukses, ndërsa tani objektivi është vazhdimësia.

Seanca e fundit stërvitore është zhvilluar përreth një orë e gjysmë punë intensive nën drejtimin e Dobit. Skuadra ka zhvilluar ushtrime fizike me përgatitësit atletikë dhe më pas është fokusuar në aspektin teknik e taktik. Në stërvitje u punua veçanërisht për organizimin në fazën ofensive dhe për mbrojtjen në situata presioni. “Djemtë e detit” synojnë të ruajnë momentin pozitiv dhe ta nisin sërish kampionatin aty ku e lanë, me fitore. Pikët e plota ndaj Tiranës janë objektivi i qartë i durrsakëve.

Pjesa e mbetur e fazës së parë nuk do të jetë aspak e lehtë për Teutën. Nga 3 ndeshjet e radhës, dy janë në transfertë, fillimisht përballja me Tiranën, më pas sfida në shtëpi ndaj Flamurtarit, dhe në fund udhëtimi i vështirë në Rrogozhinë kundër Egnatias. Tre sfida që pritet të përcaktojnë shumë për ecurinë e Teutës në këtë sezon.