4 shkurt 2015 – Teuta vijon përgatitjet me intesitet në kuadër të përballjes së radhës me Elbasanin. Skuadra e drejtuar nga tekniku Begeja po punon duke u organizuar në drejtime të ndryshme, me qëllim për të marë maksimumin nga kjo përballje, e cila konsiderohet shumë e vështirë nga durrsaket, për faktin se verdhezinjtë nuk kanë cfarë të humbasin.
"Djemtë e detit" ndaj Elbasanit do të jenë me kontigjent të plotë, fakt që ka rritur optimizmin në radhët e skuadrës për përsëritjen e suksesit të fundit të arritur në fundjavën e shkuar ndaj Vllaznisë në "Niko Dovana".
Titullarët të cilët nuk u aktivizuan në ndeshjen me Vllazninë pritet të jenë në fushë ndaj Elbasanit. Lojtarët si: mbrojtësi R. Hoxha dhe mesfushorët Deliallisi e Koreshi po stërviten me grupin dhe ndodhen në fazën finale të riaftësimit dhe do të jenë të gatshëm. Skuadrës do t'i kthehet edhe mbrojtësi Erando Hoxha, i cili nuk u aktivizua me Vllazninë pasi kishte plotësuar numrin e kartonave të verdhë. Në kampin durrsak mbizotëron optimizmi, pavarësisht kundërshtarit që do të kenë përballë. Trajnerët, shpesh shprehen se skuadra që fiton nuk ka nevojë të ndryshojë në ndeshjen pasardhëse.
”Djemtë e detit" kanë për qëllim të ngjiten sa më shumë në tabelën e klasifikimit dhe në Durrës besojnë se ditëve të vështira u ka ardhur fundi.





