Humbja me Laçin nuk e ka cenuar besimin dhe optimizmin e “Djemve të Detit”. Në vazhdim të përgatitjeve për ndeshjen e radhës, atë ndaj Bylisit, futbollistët kanë dalë në stërvitje të mërzitur. Stërvitje me ngarkesa të kujdesshme të përgatitura nga trajneri Shkëmbi dhe stafi i tij kanë bërë që Laçi të hidhet pas krahëve dhe Teuta të jete gati për sfidën e radhës, për të cilën skuadra durrsake pret të “përforcohet”, teksa Uendi Vecaj ka zbritur më në fund në fushë.
Mesfushori ka nisur stërvitjen dhe po jep shenja rikuperimi, por kjo nuk do të thotë se është 100% gati, ndaj pritet verdikti i mjekëve. Optimizmin e tregon mesfushori Florent Avdyli, i cili është shprehur se skuadra do të rikthehet te ndeshjet pozitive që në ndeshjen e radhës.
“Po pësojmë gola me kundërsulme dhe kjo nuk na falet. Në ndeshjet e fundit, më shumë kemi ndëshkuar veten, sesa na ka ndëshkuar kundërshtari. Duhet të fitojmë patjetër me Bylsin. Jam realisht i keqardhur, por le të shohim përpara. Në fakt, ndaj Laçit shumë gjëra nuk shkuan mirë dhe kryesorja ishte mungesa e përqendrimit. Bëmë shumë gabime dhe për rrjedhojë u ndëshkuam. Jam i bindur se po të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë më të mirën dhe do të arrijmë objektivin që kemi vendosur”, tha ai fillimisht.
“Patjetër që kemi potencial për t’u rikthyer te fitorja. Ne kemi besim te vetja dhe futemi në fushë me kokën lart ndaj çdo rivali. Mendoj se jemi një skuadër që duhet të na e kenë frikën, sepse do të rikthemi dhe nuk do ndalemi”.
BYLISI – “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe nuk duhet të humbasim. Me një humbje tjetër, do t’i vështirësonim shumë gjërat. Do e përgatisim që të marrim tri pikët, por duhet pranuar që edhe Bylisi vjen me anë të mirë psikologjike. Na duhet edhe fati. Ne do provojmë gjithçka, do japim maksimumin dhe shpresojmë të kemi dhe pak fat. Gjithsesi, theksoj se është ndeshje shumë e vështirë, por kemi besim se mund të bëjmë gjëra pozitive”.
SEZONI PERSONAL – “Është një eksperiencë e veçantë dhe shumë e bukur deri tani. Akoma dhe më të bukur e bëjnë rezultatet, ecuria dhe pozicioni ku ne jemi në klasifikim. Por, jemi të vetëdijshëm që një vend i tillë është më i vështirë të ruhet, sesa të fitohet. Jam i lumtur që jam këtu dhe do punojmë akoma më shumë për të plotësuar objektivat tanë”.
OBJEKTIVI I TEUTËS – “Teuta ka qenë gjithmonë ekip që lufton për një vend në Europë dhe shpresojmë që edhe këtë sezon të arrijmë objektivat e klubit dhe të përsërisim suksesin e vjetshëm. Pse jo, akoma më lart edhe më mirë”, ka deklaruar Florent Avdyli.





