DURRËS, 14 nëntor 2014 – Teuta po vazhdon punën me ritme të larta në drejtim të përgatitjes për dy ndeshjet e radhës, kampionat dhe kupë. Në kampin durrsak, situata duket optimiste dhe të gjithë kanë besim se do të përaqiten mirë në dy përballjet deçizive, ku përparësi i jepet më tepër ndeshjes së kthimit për kupën e Shqipërisë. "Djemtë e detit" e konsiderojnë veten të kaluar në fazën tjetër të këtij kompeticioni, duke e konsideruar si rezultat të favorëshëm atë që arritën pak ditë më parë në përballjen e vajtjes në "Loni Papuçiu" (2-1).
Durrsakëve nuk u mungon besimi se në ndeshjen e kthimit do të bëjnë autokritikë dhe do të arrijnë një rezultat pozitiv, i cili i kalon për në raundin tjetër të kupës, që është edhe një nga objektivat apo rrugë për të prerë një biletë për në kupat e Europës. Nën drejtimin e teknikut Lika dhe stafit të tij, "djemtë e detit" po ushtrohen sistematikisht. Me rikthimin e Bardullës, infermieria durrsake duket e boshatisur dhe me shumë gjasa tekniku lika do të ketë të gjithë kontigjentin e nevojshmëm në dispozicion për dy ndeshjet e radhës.
Sipas stafit teknik, skuadra do të jetë gati për këto dy ndeshje me formacionin më të mirë të mundshëm. Rikuperimi i plotë i Shabanit, Bardullës dhe Krasniqit, si dhe rikthimi pas pezullimit i mesfushorit Ansi Nika, kanë rikthyer optimizmin në radhët e skuadrës, e cila tashmë edhe me pjesën tjetër të grupit duket më se e kompletuar. Sipas gjasave, pritet që mesjavën tjetër ndaj Apolonisë, tekniku Lika të hedh në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, me qëllim kualifikimin për në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë dhe më pas do të mendohet për transfertën e Laçit.





