13 qershor 2015 – Stafi teknik dhe ai drejtues i Teutës kanë nisur punën për projektimin e skuadrës, për sezonin e ri futbollistik. Aktulisht flitet se po bëhet përzgjedhja e lojtarëve me të cilët do të nisin bisedimet ditët në vijim, si dhe seleksionimi i grupit aktual të skuadrës, i cili mbylli sezoni 2014-2015.

Pritet që në start të grumbullimit të skuadrës të vendosen edhe "pikat mbi i", qoftë për largime ashtu edhe për afrimet e shumta që pritet t'i bashkohen skuadrës durrsake.

Aktualisht situata është shumë e qetë në kampin durrsak, pasi skuadra e Teutës ndodhet ende më pushimet verore. Në këto kushte dhe duke marë parasysh faktin që sezoni i ri do të startojë rreth fundit të verës, drejtuesit e Teutës nuk po nxitohen në drejtim të merkatos, apo edhe në bisedimet me lojtarët që u ka përfunduar kontrata që i mban lidhur me "djemtë e detit". Flitet që për sezonin e ri, Teuta do të ketë objektiva të qarta, duke bërë që tifozeria të pres ndërtimin e një skuadre pretendente, ku minimalisht si objektiv minimal do të jetë pjesmarrja në kupat e Europës.

Rikthimi i teknikut Gugash Magani në krye të pankinës durrsake, ka bërë që të rritet besimi në kampin e "djemve të detit", të cilët nën drejtimin e peqinasit patën një ecuri shumë pozitive gjatë pjesës së parë të sezonit 2013-2014. Asokohe, Magani u largua nga Teuta, duke e lënë skuadrën në vendin e parë, pas një marveshje që drejtuesit e skuadrës nënëshkruan me kompaninë zviceriane “Gea Sport”, e cila si kusht të parë i kërkoi presidentit Hasanbelliu, që drejtimin e skuadrës ta merrte tekniku Sorrentino. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/