Teuta ka vijuar me përgatitjet anti-Dinamo. Stafi teknik, përpos faktit që ditët janë të plota, ka vijuar punën për të korrigjuar disa gjëra në skuadër dhe për të punuar me ekipin në rritjen psikologjike, për të përballur një sfidë si ajo e së dielës ndaj Dinamos.

Barazimi ndaj Vllaznisë ka lënë një shije të mirë, por s’ka vend për pesimizëm dhe adrenalina është e lartë te Teuta, për më tepër që skuadra tashmë është në rrugën e duhur sa i përket lojës. Teuta në tri javët e fundit ka pasur mungesa. Pavarësisht kësaj, durrsakët janë treguar një ekip simpatik. Ajo që i kënaq është faza difensive dhe që ka 4 javë pa pësuar gol.

Tekniku ka punuar më shumë me ekipin psikologjikisht për një arsye të thjeshtë. Skuadra duhet të jetë e qetë në këtë duel dhe në asnjë mënyrë të mos jetë nën presionin e pikëve. Djemtë e detit në transfertë kanë një bilanc pozitiv nisur me përballjet që kanë zhvilluar.“Djemtë e Detit” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore me sytë nga përballja e javës kundër Dinamos. Dje pasdite, lojtarët e Teutës dhe stafi zbritën në fushën e blertë për të vazhduar përgatitjet. Gjithçka nisi me nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik Markd Dodaj startoi punën me futbollistët me disa ushtrime fizike.

Në fund, trajneri Hodo zhvilloi edhe një minindeshje kontrolli për të parë defektet dhe sa skuadra ka arritur ta kuptojë. Deri të dielën në Durrës kanë mjaftueshëm kohë për t’u bërë gati për sfidën ndaj Dinamos. Teutën e pret një ndeshje e vështirë. Të gjithë lojtarët janë mjaft të motivuar dhe shpresojnë që të vijojnë me rezultate të mira dhe t’i kalojnë “ethet” e mbijetesës.

Durrsakët pritet që të jenë me grup më të plotë, pasi Tafas e ka kaluar shqetësimin e lehtë që kishte dhe është bashkuar me grupin, ndërsa Jazxhi është i vetmi që shqetëson. Ai po vijon me riaftësimin dhe nuk dihet a do të jetë gati deri në sfidën me Dinamon, duke pasur parasysh faktin se është një nga lojtarët që bën shumë punë. Mbrojtësi është nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor, ndërsa gjendja e tij do të jetë në vëzhgim deri 24 orë para ndeshjes.