Kur ndeshja Teuta – Vllaznia është lënë pas, që është e 151-ta ndërmjet tyre, nuk mund të anashkalojmë lidhjet miqësore dhe tradicionale ndërmjet tyre. Këto lidhje kanë filluar vite të shkuara, ku përfaqësues në breza të futbollit të përparuar shkodran, kanë “populluar” ekipin e Teutës. Futbolli durrsak është furnizuar me futbollistë, por edhe me trajnerë nga Vllaznia, duke ndikuar në një klimë mirëkuptimi ndërmjet futbollit të dy prej qyteteve me traditë si Shkodra dhe Durrësi. Ndeshja e luajtur të shtunën e 10 marsit që vendosi përballë Teutën dhe Vllazninë, e ngacmon kujtesën duke evidentuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tradicional ndërmjet futbollit të këtyre qytete me histori të vyer sportive.
Ndoshta jemi brenda logjikës së shkrimit, teksa tentojmë t’i konsiderojmë personazhe futbollistët dhe trajnerët shkodranë që kanë ardhur të punojnë dhe angazhohen me futbollin durrsak. Në Durrës kujtohen me respekt që të gjithë, por veçanërisht i pari që e hapi këtë rrugë bashkëpunimi. Ky ka qenë nga dera e njohur e familjes sportive Teli. Bëhet fjalë për portierin Jonuz Teli. Duhet të ketë qenë mesi i viteve 60-të, kur Jonuz Teli bëhet portieri i parë i Lokomotivës së atëhershme. Dhe në se dikush do ta marrë nismën, për të shkruar për historikun e futbollit durrsak, është i detyruar të mos e anashkalojë këtë fakt, ashtu si edhe dukuri të tjera që lidhen me futbollin shkodran.
Në fillimin e viteve 70-të fanelën e Lokomotivës, e veshi edhe një tjetër futbollist i njohur shkodran. Ky është sulmuesi Esat Rrakiqi, që për shumë vite ka qëndruar edhe në bankinën e drejtimit të Vllaznisë. Në djepin e futbollit shqiptar, siç konsiderohet Vllaznia e Shkodrës është kultivuar në mënyrën më të mirë loja sulmuese. Nuk është rastësi që sulmuesit e mirëfilltë shkodranë ushqeheshin nga një mesfushë po e tillë.
Me shumë emër, me shumë autoritet ishte edhe sulmuesi i krahut të majtë i Vllaznisë, që të shijonte me lojën e tij me atë sallake të përkryer, i cili me arsyen e futbollin lidhi edhe jetën me një vajzë durrsake. Ishte fundi i viteve 70-të. Ky është Halit Puka. Dhe mjeshtri i shquar i futbollit, ish-trajneri i përfaqësueses, Medin Zhega, e solli djalin e tij, Kreshnikun, në Durrës, pikërisht në fillimet e viteve ‘90-të ku Teuta dominonte ndër klubet shqiptare. Por “bumi” më i madh i prurjeve shkodrane drejt Durrësit, u shënua sezonin e kaluar, kur presidenti i Teutës, Hasanbelliu, ia besoi drejtimin e ekipit Edi Martinit. Dhe Martini nuk erdhi i vetëm tek Teuta, por solli një grup futbollistësh nga qyteti i tij i lindjes si Hoti, Kraja, Doçi, Tafili dhe Nika.
Ndërsa i pari shkodran që drejtoi futbollin durrsak, ishte i madhi Loro Boriçi në vitin 1967. Më pas ishte Hysen Dedja. Dhe i gjithë ky kapitull i përfaqësuesve të futbollit shkodran i pranishëm në futbollin durrsak, jo vetëm që nuk harrohet por kujtohet me shumë mall, me nostalgji dhe respekt nga qytetaria e Durrësit dhe sportdashësit e saj.